12:34, 14 Dhjetor 2018 Autor: Faton Abdullahu

Në historinë e Kosovës kurrë nuk kanë munguar njerëzit, grupet dhe organizimet e ndryshme që kanë kapur pushkën në dorë, për të dal në mal, për t’ia kthyer tytën armikut, bile edhe atëherë kur nuk është parë një dritë në fund të tunelit. Por ne nuk kemi mundur asnjëherë të krijojmë ushtri të mirëfilltë, e nëse e kemi krijuar, ajo ka qenë e përkohshme dhe pas viktimav të shumta ajo është davaritur bashkë me pamundësinë për ta krijuar shtetin, pa të cilën ushtria nuk mund të ekzistoj si duhet.
Ushtria dhe shteti Kosovës nuk i kanë munguar pse nuk kemi pasur bijë e bija që janë flijuar duke luftuar, por pse gjithmonë kemi pasur më shumë armiq, sesa miq dhe aleatë.

Ka pas raste në historinë e Kosovës kur kemi themeluar ushtri dhe kemi luftuar, por kemi qenë në anën e gabuar, apo thënë më saktë jemi bërë bashkë me ata që nuk është dashur të bashkohemi dhe ushtrinë tonë e ka marrë lumi. Kështu ka qenë me rastin e Luftës së Dytë Botërore kur shqiptarët kanë themeluar Ushtrinë Nacional Çlirimtare, ku shquheshin Fadil Hoxha, Zenel Hajdini, Emin Duraku etj, kur dukej se ishim në anën e mirë dhe të drejtë të historisë, me aleatë të mirë, por doli se kishim gabuar dhe nuk mbetëm as me ushtri, as me shtet, por u bëmë pjesë e një shteti dhe ushtrie, Jugosllavisë, ku dhe prej të cilës do t`i vuajmë të zinjtë e ullirit për shumë decenje.

Edhe pse në kohë të njëjtë, por organizuar ndryshe dhe me aleatë tjerë e ideologji antikomuniste, as forca ushtarake e Ballit Kobëtar, në krijimin e së cilës shquheshin intelektuali Mid’hat Frashëri e në Kosovë personalitetet ekspresive si Xhaferr Deva, Luan Gashi e Shaban Polluzha, nuk u bë ushtri e mirëfilltë për tu forcuar e mbijetuar, dhe Kosova mbeti nën Serbi.
Nuk do të vonoj aspak dhe shqiptarët prap do të marrin pushkën në dorë, në të vërtetë as që do ta lëshojnë atë nga dora dhe pas përfundimit të LDB në Kongresin e Lipovicës 1946, do të riorganizohen dhe vazhdojnë luftën politikisht dhe ushtarakisht. Në krye të Lëvizjes Nacionale Demokratike Shqiptare, properëndimore dhe antikomuniste ( titiste dhe enveriste) do të jetë Gjon Sereçi, kurse komandant i Shtabit Ushtarak do të bëhet Ajet Gërguri. Kjo Lëvizje do të vendos lidhje me Britaninë e cila do të premtoj përkrahje. Organizimi i saj do të marrë hov shpejtë si në Kosovë ashtu edhe në Maqedoni, sepse zhgënjimi nga padrejtësia pse shqiptarët kishin mbetur nën Jugosllavi ishte i madh. Por historia nuk ishte në anën e kësaj Lëvisje. LDB kishte përfunduar, komunizmi kishte fituar gjithandej dhe ishte shtrirë dhe kjo ideologji po ndërtonte shtetet në krejt Evropën Lindore. Kosova prap mbeti pa shtet e ushtri dhe mbeti nën Serbi. Kjo kryengritje u shua me gjak. U vranë shumë atdhetarë, ushtarakë e luftëtarë ndër ta dy themeluesit Gjon Sereçi dhe Ajet Gërguri. u gjykuan me vdekje dhe u pushkatuan në Prishtinë nga pushteti jugosllav.

Shqiptarët prapë nuk do të ndalen. Nuk do të mungoj as guximi, as gatishmëria për flijim, për t`u shkëputur nga Jugosllavia përkatësisht Serbia, as organizimi ilegal për shumë vite për ta kundërshtuar e luftuar këtë shtet. Por nuk do të jenë të gjitha rrethanat e përshtatshme për të bërë as shtet as ushtri të Kosovës. Edhe pse me aspiratë dhe qëllim të drejtë, as ideologjia e pranuar nga ne nën ndikimin e enverizmit nuk do të jetë aspak e përshtatshme për kohën. Prap do të na mungojnë aleatët. Në të vërtetë shteti ynë armik Jugosllavia do të ketë aleatë më të mirë e më besnik se sa kundërshtimi dhe përkushtimi ynë për liri e ndarje nga ajo. Kështu do të vazhdojmë të mos kemi, as shtet as ushtri as liri. Kështu deri te shpërbërja e Jugosllavisë.

Dhe kur do ta kemi gatishmërinë dhe flijimin edhe një herë në historinë tonë dhe atë në përmasën si shembull i përbotshëm i flijimit për liri atë të Adem Jasharit por edhe të Zahir Pajazitit, Fehmi Ladrovcit, e shumë të tjerë, kur do të organizojmë prap një luftë me armë në dorë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, për herë të parë në historinë e Kosovës do të na shkoj për dore që për kauzën tonë të kemi edhe aleatë të fortë të drejtë dhe besnik, aleatë perëndimor. Kështu guximi dhe gatishmëria për të bërë luftë do të gërshetohet suksesshëm me politikën vizionare për të lidhur aleancë historike aq gjatë të munguar, për çka meritën krysore do ta ketë Presidenti i parë i Republikës së Kosovës Ibrahim Rugova. Dhe sot Ushtria e Kosovës po krijohet fal këtij rreshtimi dhe vizioni gjeopolitik properëndimor dhe evro-atlantik dhe koncepti liberal-demokratik që na ka munguar kohë të gjatë e që tani e gjejmë të gërshetuar suksesshëm tek ndihma konkrete e aleatëve perënimor e sidomos tek SHBA-të.

Lajme të tjera