16:04, 7 Mars 2018 Autor: Ardiana Faja - Toska

Në muajin mars, hapësira frankofone, në të cilën bën pjesë edhe Shqipëria me Kosovën, feston me një program shumë të pasur, emëruesin e saj të përbashkët, gjuhën dhe kulturën frënge. Data kulmore e festimeve është 20 marsi, dita ndërkombëtare e Frankofonisë dhe viti 2018 është i veçantë sepse shënon 10 vjetorin e konstitucionalizimit të Frankofonisë, në vitin 2008 kur u bë rishikimi i Kushtetutës franceze.

Artikulli 87 i saj parashikon solidaritet dhe kooperacion midis vendeve frankofone. Meqenëse gjuha frënge është pjesë e identitetit dhe rrugëtimit tim profesional si mësuese e letërsisë frënge, ndjeva dëshirën dhe nxitjen e natyrshme të shkruaj për frankofoninë, duke evidentuar dinamikat e saj në fushën kulturore, politike dhe ekonomike. Frankofonia është kritikuar si një krijesë neo-koloniale, e cila zëvendësoi kolonializmin diskriminues politik dhe ekonomik të Francës mbi vendet e Afrikës, për të mbajtur nën kontroll territoret e administruara dikur nga Franca.

Në fakt, iniciativa për krijimin e frankofonisë nuk erdhi nga Franca por nga ish kolonitë e saj. Katër themeluesit e frankofonisë e konsideruan gjuhën frënge si një humanizëm dhe pikë takimi të identiteteve dhe kulturave të popujve që do të merrnin pjesë ne këtë bashkësi. Leopld Senghor, në fjalimin e tij themelues të frankofonisë, në universitetin Laval në Kebek (Kanada) 1966, u shpreh se « Iniciativa për të krijuar frankofoninë nuk ka motive ekonomike dhe financiare… para së gjithash ne e konsiderojmë frankofoninë si kulturë ». Por kjo deklaratë nuk duhet karikaturuar sepse aspekti ekonomik ka qenë prezent në reflektimin e themeluesve të frankofonisë.

Shtetet afrikane të sapoformuara pas periudhës koloniale, kishin shqetësimin legjitim të zhvillimit të tyre ekonomik dhe e konsideronin mbështetjen e Francës në favor të progresit dhe integrimit të tyre në arenën ndërkombëtare. Fjala « frankofoni » është polisemike dhe i referohet bashkësisë së popujve frankofonë, lëvizjes në favor të gjuhës frënge dhe dispozitivit institucional në të cilin institucioni më i rëndësishëm është Organizata Internacionale e Frankofonisë (OIF).

Ky kryqëzim dhe ndërveprim i këtyre dimensioneve : hapësirë, aksion dhe institucion e transformon Frankofoninë në një aktor ose thënë ndryshe në një realitet shumëdimensional me strategji kulturore, politike dhe ekonomike. Së pari, frankofonia është realitet gjuhësor, njerëzor dhe gjeografik. Duke u bazuar në kriterin sasior, numrin e folësve, gjuha frënge rradhitet e pesta në botë me 270 milion përdorues dhe e dyta më e mësuar pas anglishtes. Në funksion të influencës, gjuha frënge zë vendin e dytë pas anglishtes si gjuha më me influencë në botë (e dhënë e kanalit televiziv TV5 Monde). Frengjishtja flitet në të gjitha kontinentet, shëtit në të gjitha gjerësitë gjeografike. Së bashku me anglishten, janë të vetmet gjuhë të praktikuara në të pesë kontinentet : sigurisht Evropa, Afrika, Kebeku kanadez i cili i reziston admirueshëm influencës anglo -amerikane, në Azi, Laosi, Tailanda, Kamboxhia, Vietnami por edhe India ku dallohet shteti i Pondisherisë me nje besnikëri të patundur ndaj frëngjishtes.

Në Kinë frëngjishtja është gjuha e tretë më e mësuar në shkollë. Realitet gjeopolitik, i cili mishërohet në veprimtarinë e Organizatës Internacionale të Frankofonisë -OIF- ku bëjnë pjesë jo më pak se 84 shtete (Shqipëria ështe anëtare me të drejta të plota, ndërsa Kosova ka integruar OIF si anëtare vëzhguese në 2014). Në kuadrin e saj konceptual kjo organizatë i përket rrymës idealiste të mardhënieve ndërkombëtare dhe që në lindje të saj në Niamey (Nigeri) në vitin 1970, adoptoi zyrtarisht vizionin e saj domethënë multi-lateralizëm, bashkëpunimin, ndihmë, solidaritet dhe prioritet demokracisë dhe paqes. Për tu afirmuar si aktor paqësor i politikës ndërkombëtare, OIF kooperon me Oraganizata të tjera interetatike, suprancionale dhe joqeveritare si Organizatën e Kombeve të Bashkuara- sekretari i OKB është prezent në çdo Samit te Frankofonisë dhe fjalimi i tij solemn simbolizon lidhjen e fortë mes këtyre dy organizatave – Bashkimin Evropian, Commenëealth anglofon, Bashkimi Afrikan, Lidhja Arabe.

Sot mbi 50% e misioneve te OKB për ruajtjen e paqes ne bote (e dhënë e OIF) ndodhen ne hapësirën frankofone dhe OIF në koordinim me organizatat ndërkombëtare prezente ka shumfishuar misionet e vëzhgimit dhe asistencës elektorale pranë vendeve frankofone afrikane me deficit demokratik te theksuar siç është së fundmi vëzhgimi i proçesit elektoral në Burkina Faso e cila i dha fund 120 viteve pushtet të një diktature ushtarake. Por sigurisht, Frankofonia nuk imponon demokracinë, i takon popujve afrikanë që zgjedhjen e tyre për regjime demokratike ta bëjnë të pajtueshme me problematikat etniko -politike esenciale në historinë e tyre. Në një kontekst ndërkombëtar me ndryshime masive të shpejta, Frankofonia rishikon vazhdimisht prioritet e saj strategjike. Kjo i korrespondon dhe realitetit dinamik të saj. Disa tendenca kryesore, kanë influencuar strategjinë e presidentit Macron për hapësirën frankofone. Vitaliteti demografik i kontinentit afrikan do të shtojë numrin e frankofonëve, 800 milion folës në 2050, hapësira frankofone do të jetë nje treg i populluar një herë e gjysmë më shumë se Bashkimi Evropian sot, me nevoja konsumi tepër të mëdha në infrastrukturë materiale dhe imateriale, prezenca në rritje e investimeve kineze në Afrikë, konkurrenca e hapësirave të tjera gjuhësore, zhvendosja e progresit nga Perëndimi në Lindje, kanë orientuar prioritetet e Frankofonisë në fushën ekonomike.

Presidenti Macron ka shpallur si objektiv prioritar esencial gërshetimin e aspektit kulturor me atë ekonomik të frankofonisë, si një dinamikë ku mësimi i gjuhës frënge i shërben jo vetëm njohjes së kulturës franceze dhe vlerave të saj demokratike por ofron mbit ë gjitha avantazhe decizive ekonomike për integrim të rinjve frankofonë. Prioritetet e frankofonisë ekonomike janë formimi i kuadrove të rinj frankofonë të nivelit elitar nëpërmjet agjencisë uiversitare frankofone AUF e cila mbështet degët frankofone në universitet e huaja, hap anatena internacionale të universitetevr franceze, krijon partneritete midis universiteteve frankofone, inkurajon studentët e huaj për të studiuar në Francë. Po ashtu rritja e visibilitetit ekonomik të Francës nëpërmjet forumeve ekonomike frankofone, shoqatave profesionale, klubeve të biznesit përbën aksin tjetër të fuqizimit të Frankofonisë ekonomike. Paralelisht me ekonominë, Frankofonisë kulturore do t`i jepet prioritet në politikat publike të ndërmarra nga presidenti Makron. Në shekullin e XXI , shtetet e fuqishme, do të fokusohen në shtrirjen e hapësirës kulturore të tyre.

Amerikanët ka kohë që ia kanë dalë me sukses, madje midis Silicon Valley dhe Hollyëood, zgjedhja e tyre shkon pa diskutim tek ky i dyti sepse ata e kanë kuptuar rolin esencial të kulturës. Presidenti Makron ka shpallur se Frankofonia nuk do të mjaftohet vetëm me rezistencë ndaj gjuhëve të tjera por ajo do të investojë për të ardhmen. Në këtë kuadër, ai ka propozuar hartimin e një fjalori Frankofon, bashkëpunim më të ngushtë me intelektualë dhe shkrimtarë frankofonë, mbështetje të fuqishme krijimtarisë së artistëve frankofonë, zhvillim dhe risi në mësimdhënien e frëngjishtes.

Por në ndryshim nga kultura amerikane që imponoi një kulture uniforme, shabllone, frankofonia historikisht ka milituar për mbrojtjen e diversitet kulturor, alteritit, dialogut mes kulturave. Lëviza e frankofonisë e përmbledh qartë : « Cdo gjuhë duhet mbrojtur » sepse kështu mposhtet varfërimi i mendimit dhe mbrohet shumëllojshmëria e vizioneve. Franca do të krijojë madje çmimin e përkthimit, sepse « Përkthimi stimulon kapacitetin e një shoqërie për të kuptuar botën dhe diversitetin e saj » (Françoise Nyssen, ministre e kulturës). Hapësira frankofone nuk është vetëm një realitet gjeografik, as eksluzivisht gjuhësor dhe kulturor që bashkon të gjithë ata që ndjejnë apo shprehin një përkatësi me gjuhën frënge dhe kulturat frankofone që bëjnë pjesë në të.

Ky përkufizim është i pjesshëm dhe reduktues. Ai duhet plotësuar në përputhje me dinamikat aktuale të cilat kanë orientuar strategjinë Frankofone drejt dimensionit ekonomik. Në fushën politike, Frankofonia vazhdon të mbetet vektor ambicioz i vlerave demokratike, zbutjes së tensioneve dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut.

Lajme të tjera