12:57, 8 Prill 2017 Autor: Denis Galushi

Janë idol për  të  gjithë. E kanë pasuruar kinematografinë  botërore, sportin e politikën, duke lënë pas vetes gjurmë, vepra, histori e shumëçka, që sot ata të përmenden.

Janë shembull për të gjithë. Janë inspirim dhe frymëzim për ata të cilët e shohin veten një ditë në drasat e teatrit, në fokus të filmave, në skenën  politike, fushën e gjelbër  të  futbollit, ring boksi, pranë mikrofonit për të argëtuar veten dhe të tjerët… e shumë profile të ndryshme.

Me një fjalë , janë  ‘’ylberi’’ i shoqerisë, ku ngjyrat e tij simbolizojnë; këngën, artin, sportin, kulturën dhe politikën.

Pra, janë të talentuar për gjithçka. Për ata të cilët ndoshta duhet të punojnë një vit, apo dy, për të arritur suksesin e tyre të imagjinuar, që të jenë pjesë e profesionit apo pasionit të tyre, ndërsa për ata gjërat imagjinuese janë vetëm pjesë përbërse e hobit të tyre të cilin ata e shfrytzojnë në kohën e lirë!

E kush janë këta?

Këta janë farkatarët, muzicientët, artistët, poetët, gjykatësit, policët, mjekët, juristët, ekonomistët e gazetarët – ROM.

Po, po. Janë romët, ata të cilët të parët përmes figurës dhe jo zërit, bënë botën të qesh me lëvizjet qesharake, të cilat publikun e lanë me lot gëzimi në sy. Por, edhe me lot pikëllimi në fund, sepse bota nuk humbi vetem një Charli Chaplin, nuk humbi vetëm një rom, por humbi humorin e vërtet  për të cilin bota ka sot nevojë më shumë se kurrë më parë.

Emrat e tyre janë pjesë  e kuizeve të diturisë. Shumë  herë  janë përgjigje përfundimtare, e në disa raste janë përgjigje për kolonën ‘’A’’, apo edhe tërë asociacionin e lojës. Pra; A1.Rom, A2.Talent, kolona A – ART, dhe përgjigja perfundimtare -PABLO PICASO!

Një  goditje e tyre, hedh në ‘’knock out’’, ata për  të cilët kanë menduar që nuk mund të zbresin nga fronti, dhe gjithnjë do të jenë  kampion bote. Por, e djathta e romit, Tayson Furry, bëri  histori në ringun e boksit dhe i dha nje tjetër  imazh boksit, duke i thënë Klitckos; ‘’Ne  këndojmë e aktrojmë, por dimë  edhe të  rrahim’’.

Zëri i tij, aspirin për zemër. Kënga e tij, relaksim i shpirtit. Mikrofoni sot simbolizon emrin e tij. Humbja e tij e madhe për tërë botën, e jo vetëm për romët. Sepse, Elvis Presley më nuk është në mesin tonë.

Ata ndryshuan në tërësi një sistem të udhëheqjes politike. Ata janë themelues të shteteve moderne. Konkretisht, ai, romi, Juselino Kubitchek është president dhe themelues i shtetit të ri të Brazilit apo ‘’Brazilit modern’’, ku me udhëheqjen e tij ekonomia lulëzoi.

Siç janë të mësuar të jenë të hapur, të shoqëruar dhe të jenë të mirëseardhur për të gjithë, këtë e treguan edhe në fushën e gjelbër të futbollit. E të gjitha klubet më të mira botërore po e kërkojnë kokën, këmbën dhe trupin e romit, Zlatan Ibrahimoviç për të “deklasuar kundërshtarin’’.

I ceka disa figura botërore të cilat sot janë shembull, frymëzim dhe inspirim për të tjerët, mirëpo shumë pak nga ju i njihni këto  vlera, apo dëshironi t’i dini, sepse jeni bërë imun nga fjalët përbuzëse, nënçmuese që përmenden për komunitetin rom. Ato si; maxhup, cigan, cingane…

Edhe pse në  vitin 1971, në Kongresin e Parë  të mbajtur në Londër, u takuan delegatë , albanolog e aktivistë të ndryshëm për të marrë disa vendime dhe për t’i thënë botës  dy fjalë. Që;

Himni rom ‘’Jelem Jelem’’ të pranohet si himn i komnitetit rom
Komuniteti rom, të pranohet si komunitet rom dhe poashtu edhe gjuha e tyre rome
Të pranohet flamuri rom

Mes këtyre kongresmenëve  dhe albanologëve , ishte edhe ai nga Kosova, albanologu Nusret Seharsoj i cili e përfaqësoi  Kosovën.

Të dashur albanologë kosovarë, sa nga ju keni degjuar për këtë njeri?

Ndoshta dhe keni dëgjuar për të, mirëpo është e vështirë të perkujtohet sot një albanolog rom në mesin tuaj?!

Romët e Kosovës

‘’Nëse deshironi të shihni se sa është një shtet demokratik, shihni se sa respektohen të drejtat e komuniteteve’’- John Kennedy.

Kosova përveç që ua jep mundësinë më të mirë të integrimit në shoqëri, ajo është edhe shembull në rajon për respektimin e të drejtave të komuniteteve. Edhe pse, në disa raste, ka favorizime të komuniteteve.

Mirëpo, nuk do të ndalem këtu, kam frikë mos do t’i jap një konotacion tjetër artikullit tim. Do të ndalem tek vlerat e komunitetit rom për të cilat shumë pak i dinë, apo më mirë të them, nuk deshirojnë t’i dinë, sepse e vetmja gjë që dini është fjala “maxhup”, dhe kjo mjafton për ju dhe për ata para jush!

 Gjuha Rome

“Kurrë nuk kemi të drejtë të quhemi komb i qytetëruar, sado që të mësojmë gjuhë të huaja, sepse kombi nuk qyteterohet vetëm me mësimin e gjuhëve të huaja, por me mësimin e gjuhës së vet” – F.Shiroka.

Kur flasim për gjuhën rome, ajo sot në Kosovë  ka arritur të shenojë një progres të madh.

Duke filluar të flitet në media, shfaqje teatrale, nëpër shkolla fillore duke u mësuar si gjuhë fakultative, e poashtu edhe në disa komuna si gjuhë tradicionale në përdorim zyrtar. Konkretisht, Komuna e Graçanicës.

Poashtu, mos të harrojmë që, edhe Prizreni është komuna e parë ku ka filluar mësimi zgjedhor i gjuhës rome, duke u bërë si një pilot-projekt i suksesshëm për komunën e Gjakovës, Ferizajit, përderisa edhe disa komuna tjera tashmë janë në proces. Mos të harrojme që, pritet së shpejti edhe një përgjigje për pranimin e gjuhës rome si gjuhë në përdorim zyrtar në qytetin multietnik të Kosovës, Prizren.

Gjuha rome sot përdoret në media. Në nivel lokal dhe atë qendror. Në nivel lokal, për herë të parë në Kosovë, është hapur në vitin 2009, Radio 24 orëshe në gjuhën rome ‘’Radio Romano Avazo’’.

Ndërsa, në nivel qendror kemi lajmet në gjuhën rome, magazina javore, debate të ndryshme të cilat transmetohen në Radio Televizonin Publik të Kosovës – RTK. Gjithashtu edhe në Radio Kosova 2,  çdo ditë transmetohet program informativ një orësh në gjuhën rome.

Pra, gjitha këto mundësi janë shumë të rëndësishme për gjuhën rome që ajo mos të harrohet, edhe pse shumë herë nga të tjerët është tentuar të zhduket nëpër luftra, apo holokauste. Por, xhelozia dhe dashuria e romëve ndaj saj ka bërë që kjo gjuhë sot të jetë prezente nëpër shtepitë e tyre, lagje, shkolla, shoqerinë dhe institucionet e Kosovës. Me këto, Kosova është model për diversitetin kulturor që ka në rajon dhe më gjerë.

 A ka Kosova intelektualë romë?

Sot, romët e Kosovës duhët të ndjejnë veten më krenarë se kurrë. Ka kaluar më ajo kohë kur, njerëz të edukuar ke pasur mundësi që t’i numërosh në gishta.

Sot, romët e Kosovës, janë të vetëdijshëm që pa edukim nuk ka nje rrugë të ndriçuar dhe nuk ka perspektivë.

Sot, numri i studentëve të cilët edukohen në universitete publike dhe ato private, është tejet i madh krahasuar me vitet e mëparshme.

Këtu, nuk duhet të harrojmë edhe punën e jashtëzakonshmë të shoqerisë civile, që me programet e tyre të ndryshme po ua japin mundësinë komunitetit të ngriten në nivelin akademik.

Siç janë organizatat VORAE dhe Advancing Together, e këta të fundit javë më parë janë shperblyer me çmim ndërkombëtar nga Brukseli për punën e sukseshsme që po e bëjnë.

Kjo ka qenë padyshim edhe një promovim për shtetin tonë të Kosovës.

Pra, shoqëria civile rome e Kosovës, lobon dhe avokon në njohjen e shtetit të tyre nga ndërkombëtarët.

Romët në institucionet e Republikës së Kosovës

Krahas vendeve të rezervuara për komunitete në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës, ku kemi deputetë e zëvendësministra, kemi romë të cilët nuk janë vetëm “rezerva’’, por edhe “kapitenë’’, të cilët me djersë dhe punë kanë aritur në pozitat e tyre dhe gëzojnë autoritet të lartë si profesionist.

Pra, kemi gjykatës në Gjykatën Themelore të Prizrenit, poashtu anëtearë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Kemi avokatë romë.

Kemi pjesëtarë të lartë në Stacionet Policore të Kosovës.

Poashtu, edhe në fushën e mjekësisë kemi; infermierë, fizoterapeutë, e gjinekologë romë.

Ndërsa, edhe në fushën e edukimit (pedagogjisë) kemi njerëz të cilët janë shkolluar jashtë shtetit, janë kthyer në Kosovë për të dhënë kontributin e tyre për shoqerinë kosovare në përgjithësi.

Kemi edukatorë, arsimtarë e profesorë romë. Pra, duke pasur parasysh të kaluarën, kemi progres. Edhe pse një fjalë popullore thotë; ‘’Me një lule nuk qelë pranvera’’, unë e them të kunderten. ‘’Një lule, e fillon pranverën’’.

Nga ana tjeter, kemi biznesmenë romë, të cilët i kanë ndërmarrjet e tyre prodhuese, siç janë ndërmarrjet për prodhimin e kartonëve dhe mbështjellësve, e poashtu ndërmarrje tjera tregtare të cilat furnizojnë tërë Kosovën.

Shkelja dhe keqpërdorimi i romëve

Arsyeja pse unë u fokusova në këto pika është, që disa pjesëtarë të komunitetit rom, e poashtu edhe pjesa tjetër dërmuese, qofshin aktivistë apo gazetarë, kur raportojnë për komunitetin rom, e sidomos në ditën e tyre historike të 8 prillit, fokusohen vetëm tek shtresa më e ulët e tyre.

Duke hedhur poshtë simbolikën e kësaj dite historike. Fyejnë nxënësit, studentët, intelektualët, biznesmenët dhe të gjithë romët të cilë janë krenaria dhe modeli për të tjerët nëpër profile të ndryshme, duke u fokusuar vetëm tek “kontejnerët’’ dhe lemoshë kërkuesit, edhe pse shumica prej tyre vijnë nga Shqipëria!!!

Të kuptohemi, askush më shumë se unë nuk mund të luftojë për komunitetin tim, dhe të kërkojë për ata një jetë më të mirë. Por, duhet të qartësohen gjërat. Mos t’i gjeneralizojmë. Mos të tregojmë vetëm një anë të realitetit, ndërsa anën pozitive të hedhim poshtë, apo për të, kurrë të mos raportojmë dhe hulumtojmë.

Ky fakt, gjithmonë po del të jetë shkaktar që kur takoni një të ri të ndritur rom, ia parashtroni pyetjen: “Ti rom, a? Jaak, bre”.

Pyetje kjo që nuk i lë ata të besojnë që ka romë të edukuar.

Në anën tjetër, jam tepër i hidhëruar dhe i mllefosur tek “intelektualët’’ e shoqerisë civile dhe “liderët’’ e komunitetit tim romë! Tek ata të cilët e shohin vetë gjakun e fisin e tyre si “kafshatë përfitimi’’.

Komunitetin e tyre e shohin si mundësi dhe viktimë për mbushjen e xhepave të tyre!

Atyre nuk u dhimbsen kur shohin fëmijët duke kërkuar një copë bukë tek kontejnerët ose familjet e varfëra rome, por shikojnë që përmes barkut të tyre të zbrazët t’a ngopin syrin e tyre. Tek kontejnerët nuk janë vetëm romët, ka edhe shqiptarë, por, nuk mund të themi që të gjithë shqipetarët janë në këtë gjendje!

Kush jam unë?

Unë jam romë. Vi nga fisi i atyre të cilët kërkojnë lëmoshë tek semaforët e kontejnerët. Por, mos harroni. Jam edhe gjaku i fisit të atyre që lanë gjurmë në histori dhe janë shembull për punën e tyre.

Jam Pablo Picaso e Elvis Presley. Jam Charlie Chaplin e Zlatan Ibrahimoviç. Jam Esma Regjepova e Ava Ngarde.

Jam ai, i cili një ditë mund të bëhem edhe ‘’Juselino Kubitchek’’ i Kosovës. Për ta drejtuar një ditë shtetin tim përpara. Ndoshta jam edhe shpresa e popullit tim kosovar. Sepse, une nuk dua që mua t’më shohin si statistikë apo numër. Nuk dua të jem gjithnjë si figurë e “fletës së artë’’ të Kosovës. Por, une dua të dëshmoj se jam vlerë dhe jo fletë, siç e kanë dëshmuar shumica prej romëve në botë dhe Kosovë, të cilët kanë lënë, po lënë dhe do të lënë gjurmë të suksesit në punën e tyre.

Mbi të gjitha emrin e kam ROM, dhe mbiemrin KOSOVË.

 

-Denis Galushi, Gazetar

Lajme të tjera