17:51, 12 Prill 2018 Autor: Artur Zheji

Vijon dritëshkurtësia kryeministrore, që nuk e kupton se tensionet kanë mbërritur në kulm dhe situata është përgjithësisht e sëmurë.
Vijon përzgjedhja e pakuptueshme e Gjykatës së Kukësit në lidhje me të 11 të arrestuarit protestues që mbeten në burg.
Vijon të mos ndjehet qartësisht se nervat janë krejtësisht të zhveshura dhe se teprimet abuzive që kanë mbërritur shifra dhe kuota të papërfytyrueshme, nuk kapërdihen më kollaj nga askush.
Realiteti tashmë konsumohet përpara syve të të gjithëve.
Superluks vezullues, sfidues dhe pordhëmadh nga njëra anë, ministrash, drejtorësh dhe sipërmarrësish të përkëdhelur nga pushteti dhe padrejtësi e theksuar sociale nga ana tjetër.
Djelmosha që futen në burg për pak gjë, me ose pa të drejtë ligjore, dhe buaj të korrupsionit që shkelin si harbutë në zyrat e shtetit, me sytë nga arka e qeverisë, grabitqarë të pashoq dhe llapaqenë të sprovuar tashmë.
Të vërtetat janë tashmë bardhë e zi dhe kontrasti i thellë dhe acarues nuk mbushet dot më me ngjyrat e rreme të fjalimeve kryeministrore, të cilave u ka rënë shkëlqimi sepse janë shndërruar tashmë në avokatinë e mëkatarëve të mëdhenj të këtij vendi.
Kryeministri avokat, që mbron përkundrejt gjyqit të Opinionit publik palën mëkatare, palën gjakpirëse, që fryhet si shushunjë në kurriz të shumicës popullore, pa kuptuar as ai vetë dhe as kupola që ka krijuar, po shndërrohet me shpejtësi në një personazh antipatik.
Tepsia dhe Timoni që mori krejt për vete e ka lënë si peshku pa ujë, pasi që nuk ka më se ku të qahet dhe të justifikohet se ja prishin qeverisjen dhe projektet shtetformuese, aleatët dhe “maskarenjtë” e domosdoshëm për të mbajtur pushtetin në emër të gjoja “gjërave të mëdha” dhe shtetformuese…
Dhe ay, kryeministri, ndjehet i gëlltitur nga antipatia në rritje.
Krejt i paaftë të gjejë Zgjidhje, që ta afrojnë me shumicën popullore, që ndjehet e tradhtuar nga ky kryeministër i të Pasurve, që e ka vënë qeverinë dhe shtetin në punë si të ishte një shtojcë e ca pak kompanive të mëdha shqiptare.
Më rëndë Rama nuk ka qenë asnjëherë deri më sot.
Dhe e keqja është se ai nuk del dot më nga kjo grackë perfekte detyrimesh dhe ndërvarësie ndaj oligarkëve, të cilën e ka krijuar vetë, në mënyrë të talentuar…
Mirëpo shushunjat duan, ashtu si edhe vampirët, gjithmonë e më shumë gjak të freskët koncesionesh… kjo është natyrë e tyre. Nëse ky gjatoshi nuk u shkon tashmë krejt pas oreksit, ata e braktisin…
Sepse sigurisht e kanë paguar “gjobën” ndaj tij ose ministrave të tij…

 

 

 

Lajme të tjera