9:48, 13 Prill 2017 Autor: Andi Bushati

Një deklaratë e fortë e kreut të PBDNJ-ë, Vangjel Dule ka shërbyer për t’i hedhur benzinë zjarrit të paranojës që ka kapluar opozitën, lidhur me shitblerjen e diplomatëve të huaj nga politikanët lokalë. Nuk e di sa i vërtetë është pohimi i Dules, se një grup ambasadorësh, i kanë kërkuar partive të vogla të koalicionit të djathtë t’i fusin një thikë pas shpine PD-së, duke hyrë në zgjedhje për të marrë ndonjë deputet më shumë. Por, dua ta pohoj që në fillim që jam i prirur ta besoj. E para sepse Vangjeli nuk është shquar ndonjëherë si tipi që bën show duke prodhuar lajme të rreme. E dyta se ai ka qenë i shoqëruar me kolegë të tjerë. Dhe e treta se kjo nuk është hera e parë që qarkullojnë të tilla lajme për përzierjen flagrante të diplomatëve të Tiranës.

Por, pavarësisht se ky shantazh skandaloz më duket burracak dhe i pështirë, po aq të tilla më ngjajnë edhe reagimet që e pasuan atë. Menjëherë në disa media me rradhë u përhap një lajm se ambasadorët e akredituar në Tiranë kanë interesa financiare të lidhura me qeverinë, se paguhen nga narkotrafikantët dhe madje, madje, luajnë për interes të Serbisë. Edhe kaq do të mjaftonte që grotesku të arrinte kulmin. Por ai u bë më i madh kur vetë Lulzim Basha, nga çadra, i fryu publikisht kësaj legjende duke folur për të “korruptuarin me pasaportë të huaj që shpejt do të japë llogari”.

Po ta njohësh nga afër mjedisin politik ku gëlojnë këto pandehma, e kupton se deklarata e kreut demokrat nuk është një rastësi. Gjithnjë e më të shumtë janë opozitarët që besojnë se Donald Lu i shërben interesave të Edi Ramës. Disa shkojnë edhe më tej, e bëjnë ortak me të dhe të sigurojnë se shpejt do t’i dalin edhe pronat apo tokat që ka në Shqipëri. Po të njëjtat thashetheme gëlojnë edhe për Romana Vlahutin. Dikush përmend bizneset e bashkëshoritit, dikush qiranë e vilës dhe të gjithë janë të bindur se ajo bën politikat që bën, e nisur jo nga parimet e Brukselit, por nga paratë okulte që arkëton.

Këtyre intrigave të vogla lokale u shtohet pastaj dhe paranoja ndërkombëtare me dorën e padukshme të Sorosit, që ka bërë lobing për të sjellë si diplomatë në Tiranë, njerëzit që i ka përzgjedhur më parë vetë Rama.

E gjithë kjo propogandë, ka si qëllim që tu thotë militantëve të opozitës se çdo qëndrim që vjen qoftë nga Lu, qoftë nga Vlahutin, apo qoftë nga shefi i OSBE-së që i ndryshoi brenda ditës deklaratat për drogën, është një politikë personale që buron nga interesa të dyshimta.

Po ta shofësh me kujdes, e gjithë bestydnia e përhapur ka sa anën e saj të vërtetë, po aq dhe pjesën e saj fantaziste.

E vërteta është se ambasadorët e Tiranës shpesh mbajnë qëndrime eksesive. Ata bien jo rallë pre e politikës për ta pasur mirë me qeverinë. Ata i shohin opozitat që i lënë vendin njëra tjetrës, si aspekte të bezdisshme të demokracisë, që vetëm sa komplikojnë pasqyrën e raporteve që duhet t’i nisin qendrës.

Në Shqipëri do të mbahen mend gjatë Rajersoni dhe Elio Germano i BE-së që as nuk donin ta shikonin me sy opozitën ish-komuniste. Këtu vështirë se do të harrohet partizanizmi i Limprehtit edhe dëshira për të goditur demokratët e Dan Evertsit të OSBE-së. Në këto anë nuk do të shlyhen deklaratat “Burrë shteti” për Berishën dhe “Yll në ngritje” për Bashën që nxori nga goja Arvizu pas 21 janarit, ashtu sikurse do të mbeten objekt barcaletash, qoftet që kapërdinte dhe krikllat që rëkëllente Volfard sa herë që duhet t’i kundërvihej PS.

Po t’i kthehmi kësaj historie të trishtë me të drejtë mund të ngrejmë një pyetje. Mos vallë i kanë korruptuar me para, i kanë joshur me troje ndërtimi, i kanë bërë pjesë të bizneseve dhe Berisha dhe Basha dhe Nano, dhe Majko dhe Meta, diplomatët që i kanë mbështetur kur ata kanë qenë në pushtet? A qëndron pas gjithçkaje fantazma e “gringos” së koruptuar që megjithëse “mban pashaportë të huaj nuk ka për t’i shpërtuar ndëshkimit”?

Jo, duhet thënë troç. Kjo paranojë që ka kapluar kokat e demokratëve dhe deri diku edhe të lsi-stëve nuk është e vërtetë. Askush deri më tani nuk ka asnjë provë apo indicie për këtë skemë gjigande të korruptimit të diplomatëve kryesorë të Tiranës. Fakti se Rama mund t’i ketë blerë disa prej tyre është po aq i vërtetë sa hipoteza se edhe Berisha, Basha, apo Meta kanë bërë të njëjtën gjë me ambasadorët që kanë punuar kur kanë qenë në pushtet.

Ndërsa, nëse pyetja ngrihet ndryshe, nëse ajo shtrohet, a janë bërë ata palë apo jo me Edi Ramën, përgjigjja është tjetër. Po, shumë prej tyre sot janë rreshtuar. Ata rrefuzojnë të flasin për përmasat alarmante të drogës që i vërejnë edhe mediat e vendeve të tyre. Ata nuk guxojnë të shprehen për një regjim kleptokratësh që tashme e kanë skanuar shërbimet inteligjente.

Po, për këto, ata heshtin. Madje dhe në krizën e fundit, ashtu sikurse dëshmoi Vangjel Dule, ata apo tregojnë se e kanë më lehtë që trysninë ta ushtrojnë te opozita, që ta veshin atë me rrobat e djallit, që të keqen ta projektojnë aty.

Por, për fat të keq, këtu nuk kemi asnjë lajm të ri.

Edhe Lu, edhe Vlahutin, edhe Broshard, po bëjnë atë që kanë bërë gjithnjë paraardhësit e tyre. Po mbajnë anën e qeverisë.

Prandaj, nëse në krizën e sotme i ka ata përballë, PD dhe Basha nuk ka pse shpik dhe ushqen teori konspirative me blerje dhe korruptim. Do të qe më e shëndetshme dhe më racionale t’i shpjegonin idhtarëve të tyre historinë që fatkeqësisht është sa e dhimbshme, po aq dhe e thjeshtë: se diplomatët e Tiranës më shumë se kriteri i së vërtetës, më shumë se mbajtës së skeptrit moral, janë një grup pragmatistësh që reshtohen me pushtetin.

Artikullimi i kësaj të vërtete, jo vetëm do ta çlironte opozitën nga kompleksi i të gjithave divergjencave që ka me ambasadorët, jo vetëm do ta lehtësonte nga keqkuptimiet që mund t’i krijohen me publikun, por mbi të gjitha do ta shpëtonte edhe nga risku i përhershëm i qesharakëzimit të atyre që rrëfejnë teori komploti.

Lajme të tjera