11:04, 17 Maj 2017 Autor: 

Çdo matematikë e deritashme favorizon koalicionin PDK-AAK-Nisma. Se a do t’i fitojë ai zgjedhjet me lehtësi apo me zor, varret nga forma se si kjo aleancë do t’i shpjegojë temat e hapura që edhe prishën qeverinë në ikje: demarkacionin, asociacionin dhe ushtrinë!

A u tremb Kadri Veseli se mund t’i humb zgjedhjet? Ndoshta. Vendimi i tij është më pragmatiku i mundshmi dhe ia shton besueshmërinë e masavepër zotimin se është në reformim e sipër të partisë dhe të veprojë parasëgjithash në interes të vendit. PDK në këtë stad siç është nuk është regjeneruar as minimal. Listat e deputetëve e thonë këtë.

Apo është plani i kalkulatorit me hipotekën e SHIK-ut në trastë edhe më djallëzor: pas LDK-së t’i lë në qeveri edhe pjesët tjera të konkurrencës që të dështojnë si e para që pastaj të rikthehet edhe për gjatë kohë në pushtet?

Spekulimet nuk kanë kufi e politika elektorale jeton prej tyre.

E para që ndodhi u qartësuan blloqet “ideologjike”, së paku rrjeteve sociale dhe mediave: në konkurencë gjenden “titistët” dhe “uçkat”, përdorur banalishten e pseudo-agorave virtuale. Me “titistë” përshkruhet gjenerata e Isa Mustafës dhe tjerëve që votat i marrin nga masa që ishte kundër luftës dhe e rajoneve më pak të dëmtuara nga krimet e luftës dhe me “uçka” janë vulosur këta të krahut të luftës me bastionet e tyre në rajonet ku lufta ishte asgjësuese. Sot kjo ndarje nuk është empirike, bazimi në bastione e ideologji nuk qëndron, megjithatë këto janë hartat mentale, perceptuese të elektorateve.

Çka do të ndodhë tash? Vërtet LDK dhe AKR kanë fuqinë t’i bëjnë ballë këtij koalicioni kaq të fuqishëm?

II.

Të shikojmë rezultatet e zgjedhjeve të kaluara, që të kemi një pasqyrë rreth fuqisë startuese të partive dhe koalicioneve:

PDK + LB + PSHDK + PD + PK = 30.38%

AAK + NISMA = 9.54 +5.15 = 14.69

Koalicioni aktual herën e kaluar grumbulloi: 45. 07% të votave.

*LDK = 25.24

AKR = 4.67

Koalicioni i dytë solli: 29.91% të votave

*PVV = 13.59%

Sipas kësaj matematike edhe poqëse VV bën koalicion paszgjedhor me LDK-në gjenerojnë 43.50 % të votave.

Pra dallimi ndërmjet koalicionit të parë dhe të dytë është vetëm 1.47%.

Kështu që shumica e njërit apo tjetrit mund të sigurohej vetëm nëse do të fitonin edhe Listën Serbe me 5.22 dhe atë vakat e KDTP me 1.91% për ta siguruar 7.13% që i avancon në 52.20 % të parët e 50.63% të dytët.

VV dhe Lista Serbe bashkë? Kjo nuk do të ndodhë kurrë ose VV ndërron programin. Lista Serbe dhe AAK bashkë, po se megjithatë PDK është forca e parë brenda koalicionit.

III.

Ky kalkulim mirëpo është në sajë të një matematike sipas zgjedhjeve të vitit 2014. Ndërkohë kanë ndodhur lëvizje njerëzish sidomos në drejtim të Ramush Haradinajt dhe atë jo nga tabori i ish UÇK-së por edhe nga partia e ish presidentit Rugova. LDK nuk nis nga pozita e opozitës dhe është më e përçare se sa që mund të fsheh. AKR kërkon suspendimin e rrugës së integrimit për në BE. Lideri i ri i LDK-së nuk ia mbush syrin asnjë kategorie e lere më neutralëve, jo vetëm ngase konsiderohet bashkëdështues brenda qeverisë Mustafa, porse habitusi i tij është më shumë për ofiqari se sa për lider. Koalicioni i parë disponon me figura të forta liderësh, pavarësisht kritikave.

Sipas kësaj gjendje të tashme – pra në ditën e parë pas koalicioneve të reja dhe ende pa sqarimet e nevojshme për demarkacionin, asociacionin dhe shumë tema që edhe sollën këto zgjedhje – koalicioni PDK-AAK-Nisma e ka të sigurt qeverisjen e vendit pas zgjedhjeve. Madje pritet edhe më e keqja: llogaritet me një tkurrje të dukshme të LDK-së dhe rënie të VV-së për shkak sjelljeve të saja ademokratike. Përdorimi i dhunës, shantazheve dhe kampanjave ordinere e kanë haraçin e vetë. Atraktiviteti i koalicionit të dytë bie edhe ngase shumëkush shpreson që me Ramush Haradinaj kryeministër do të jetë ndryshe; se gjykata speciale gjatë kohës do të reduktojë ndjeshëm vetë sferat e korruptuara dhe se në këtë drejtim duhet investuar e jo në konstruksione imagjinare që si ashtu aktualisht janë të pamundshme se plotë utopi.

Lajme të tjera