19:21, 5 Tetor 2017 Autor: Agron Hoti

Përpjekjet për krijimin e shteteve të reja në botë asnjëherë nuk janë ndalur. Në vitin 1945 bota numëronte 51 shtete që ishin anëtare të OKB-së. Rënia e sistemit komunist dhe lëvizjet për pavarësi nëpër pjesë të ndryshme të botës vetëm prej vitit 1990 deri në vitin 2017 kanë krijuar edhe 34 shtete tjera anëtare të OKB. Sot janë 193 shtete anëtare të OKB-së. Këtu nuk hyjnë Kosova, Tajvani, Vatikani dhe Palestina.

 

Ndërtimi dhe forcimi i ndjenjës së përbashkësisë për të jetuar në një shtet të vetëm, pa marrë parasysh rregullimin e brendshëm territorial e administrativ të atij shteti, jo gjithmonë ka qenë i realizueshëm. Si rezultat i përpjekjeve të vazhdueshme secesioniste globi do të përballet edhe në të ardhmen me përpjekje për krijimin e shteteve të reja. Evropa nuk do të mund të përbëjë përjashtim, pa marrë parasysh se sa komplekse dhe çfarë pasoja do të mund të kenë këto veprime secesioniste.

 

Shtimi i shteteve anëtare ka qenë instrumenti më i suksesshëm ekonomik dhe më pak politik i BE-së deri më sot. Projekti i Integrimit Evropian përbën formën më të suksesshme të integrimit rajonal në botë. Mirëpo, përpjekjet e vazhdueshme të BE-së për të krijuar ndjenjën e përbashkësisë anë e përtej tërësisë së saj nuk janë treguar plotësisht të suksesshme. Arsyet janë të shumta, por ndër kryesoret janë divergjencat në dinamikat e zhvillimit ekonomik mes veriut dhe jugut, aspekte këto të shpërfaqura në pabarazi sociale.

 

Pakënaqësi ka si nga ato shtete anëtare që janë neto-kontribuuese në buxhetin e BE-së, ashtu edhe për ato shtete neto-marrëse. Të parat ankohen se i japin shumë qendrës, ndërsa të dytat që marrin pak nga qendra. Kjo vetëm sa ka rritur polarizimet mes shteteve anëtare, aspekte këto të reflektuara nëpër institucionet komplekse të BE-së.

 

Shtetet, organizatat apo formacionet e ndryshme shkapërderdhen pikërisht kur ndarja e resurseve bëhet në mënyrë të pabarabartë. Sllovenia dhe Kroacia ishin neto-kontribuueset më të mëdha të federatës jugosllave, ndërkohë që përfaqësimin institucional në federatë e kishin dukshëm më të vogël sesa serbët, derisa shqiptarët brenda federatës jugosllave ishin më të diskriminuarit në të gjitha dimensionet shtetërore. E shteti jugosllav investonte në forcimin e ndjenjës së përbashkësisë vetëm në formë e jo në përmbajtje, prandaj dallimet në zhvillim vetëm sa rriteshin mes entiteteve të ndryshme.

 

Shpërndarja e pabarabartë e resurseve dhe dominimi i disa etnive mbi kurrizin e etnive tjera rezultoi me lëvizjet secesioniste, të cilat mbytën ëndrrën e ndjenjës së përbashkësisë në Jugosllavi. Vetë fakti që ky shtet ishte krijuar për të qenë artificial për rrethanat dhe kohën, flet për brishtësinë e ndjenjës së përbashkësisë. Pikërisht pse kishte divergjenca të mëdha në shpërndarjen e resurseve u vetë-shkatërruan si mos më keq BRSS dhe Jugosllavia. Ndërkohë që ndjenja e përbashkësisë nuk funksionoi as mes Çekisë dhe Sllovakisë, të cilat, për dallim nga Jugosllavia dhe BRSS, ia dolën të ndaheshin në mënyrë paqësore.

 

Pa marrë parasysh se ç’ndodhi me tri federatat (Jugosllavia, BRSS-ja dhe Çekosllovakia), lëvizjet për shkëputje nga trungjet më të mëdha nuk u ndalën asnjëherë në Evropë. Përderisa, federatat komuniste u vetë-shkatërruan për arsye ekonomike dhe sistemike, përpjekjet për pavarësi të pjesëve të ndryshme të Evropës, siç janë Skocia, Korsika, Katalonia, Baskia, Flamania, kanë për bazë më shumë aspektet politike sesa ato ekonomike. Kjo sepse shikuar në aspektin ekonomik Skocia, Flamania, Katalonia apo Baskia, janë entitete që janë edhe më të zhvilluara ekonomikisht sesa trungjet ku bëjnë pjesë. Por, janë arsyet politike për ndërtim të pavarur identitar ato që shtyjnë këto entitete të shkëputen nga trungjet e mëdha.

 

Por, lëvizjet për pavarësi janë gjithnjë të vështira edhe në vende, të cilat njerëzimi i njeh për demokratike.

Katalonia, duke qenë pjesa më e zhvilluar e Spanjës së bashku me Baskinë, na japin mjaftueshëm të kuptojmë se nuk kanë qenë të privuara nga e drejta për t’u zhvilluar dhe frymuar lirshëm ashtu sikurse nuk kanë qenë edhe pjesët tjera të Spanjës. 

 

Tendosja e spangos mes Barcelonës dhe Madridit ka filluar me kërkesat e Katalonisë për rritje të autonomisë rajonale. Ndërkohë që Spanja duke qenë e përbërë nga entitete të ndryshme gjithmonë është ndruajtur për të bërë koncesione në këtë drejtim, sepse efektet pastaj do të ishin zinxhirore nëpër rajone tjera të Spanjës. Dhe për t’i parandaluar këto veprime, Spanja ka sanksionuar me kushtetutë pamundësinë për shkëputje të këtij rajoni dhe rajoneve tjera.

 

Duke qenë neto-kontribuuese në nivelin qendror, Katalonia asnjëherë nuk ka qenë e kënaqur me sasinë e kompensimeve që merrte nga Madridi për implementimin e politikave sociale dhe infrastrukturore. Kjo ka bërë që spangoja të tensionohet deri në përpjekjet për të mbajtur referendumin për pavarësi të tetorit 2017.

 

Ky referendum nga Madridi u vlerësua si kundërkushtetues. Vështirësia në tërë këtë proces është se katalanët procesin e shohin si tërësisht politik, si të drejtë të tyre për mëvetësi, ndërkohë që veprimet shtetërore të Spanjës bazohen në aspektin juridik, duke tentuar të ruajnë rendin kushtetues. Pra, loja këtu zhvillohet mes ligjit dhe politikës, e fituesi do të jetë i paparashikueshëm.

 

Nuk duhet harruar që çdo shkëputje nga Spanja nuk do të kalojë pa pasoja për Kataloninë, por edhe për Spanjën. Kjo sepse shkëputja e Katalonisë nga Spanja do të thotë automatikisht dalje nga BE dhe fillim i procedurave për anëtarësim, aspekt ky që merr kohë dhe mund të pengohet nga vetoja e Spanjës dhe shteteve që kanë probleme të ngjashme, siç është p.sh., Rumania. Duke mbetur jashtë BE-së, atëherë eksportet dhe importet e Katalonisë do të bëhen më të shtrenjta si rezultat i tarifave dhe kuotave doganore dhe kjo do të dëmtojë seriozisht ekonominë katalane.

 

Eksportet katalane do të mund të bojkotohen nga Spanja, e cila përbën një treg të konsiderueshëm për to. Shikuar nga kjo perspektivë, shihet se secesioni katalan do të ketë ndikim negativ në ekonominë e këtij entiteti së paku në plan afatshkurtër dhe afatmesëm, por gjithsesi do të ketë ndikim negativ edhe në GDP-në e Spanjës, 20% të së cilës e përbën Katalonia.

 

Në qoftë se tërheqim një paralele mes Kosovës dhe Katalonisë, atëherë shohim se qëllimet janë të njëjta, por rrugët dhe arsyet për pavarësi janë të ndryshme.

Edhe historitë, konstalacionet historike dhe ato politike, janë tërësisht të ndryshme. Përderisa neve shqiptarëve na mohoheshin të drejtat elementare nga pushteti jugosllav dhe përderisa ishim populli më i pazhvilluar në Jugosllavi, Katalonia, me gjithë represionin e diktaturës së Frankos të shtrirë në tërë Spanjën deri në vitin 1975, ka arritur të zhvillohet ekonomikisht më shumë se çdo pjesë e Spanjës.

 

Nëse krahasohen jetët e katalanasve dhe baskëve me shqiptarët e ish-Jugosllavisë, arrihet te përfundimi se dallimi është si nata me ditën. Duke ditur këtë fakt, një shqiptar nga hapësirat e ish-Jugosllavisë e ka të vështirë ta kuptojë zellin katalan për pavarësi, edhe pse popujt duhet ta kenë të drejtën për të jetuar të lirë në përputhje me parimet universale të njerëzimit për barazi dhe liri.

 

Megjithatë, është e qartë që rasti i Katalonisë nuk është i njëjtë me Kosovën, prandaj Spanjën duhet parë si shtet partner. Nga Spanja presim të njihemi dhe të ndërtojmë marrëdhënie diplomatike. Zhvillimet e brendshme në Spanjë nuk duhet të ndikojnë në raportet mes këtij shteti dhe Kosovës. Vetë fakti që qytetarët e Kosovës janë të apasionuar pas ligës së futbollit të Spanjës tregon që ne e shohim këtë shtet si tërësi.

 

Çdo përpjekje e dashakeqësve të Kosovës për të tërhequr paralele mes rastit të Kosovës dhe Katalonisë do të ketë për qëllim të krijojë huti në opinionin ndërkombëtar, do të mundohet të krijojë probleme të brendshme brenda BE-së, do të mundohet të stopojë edhe më tej 5 shtetet anëtare të BE-së për të mos e njohur pavarësinë e Kosovës, do të mundohen që rastin e Kosovës ta keqpërdorin në zona të tjera të botës, siç janë ato në Evropën Lindore: Krimea në Ukrainë, Nagorno Karabahu në Azerbejxhan, Transnistria në Moldavi, Abkhazia në Gjeorgji, etj. Gjithsesi që edhe shtetet e Evropës Perëndimore janë në përballje të vazhdueshme me lëvizje secesioniste, ku më pak e ku më shumë.

 

Vlen të theksohet që përpjekjet e Katalonisë për evropeizim nuk janë të mpleksura me ato të Kosovës, pra kontributet e Kosovës dhe Katalonisë për evropeizim janë të ndara dhe të ndryshme. Peripecitë nëpër të cilat ka kaluar Kosova janë tërësisht të ndryshme nga ato të Katalonisë si në aspektin gjeografik, historik, politik dhe ekonomik.

 

Rasti i pavarësisë së Kosovës është i paprecedent, ndërsa vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, i korrikut 2010, i ka dhënë legalitetin ndërkombëtar Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, duke u hapur rrugë njohjeve ndërkombëtare, marrëdhënieve me vende dhe popuj anekënd botës. Pra, pavarësia e Kosovës i ka kontribuar paqes, stabilitetit, fqinjësisë së mirë si dhe evropeizimit të mëtejmë të Ballkanit. Prandaj, dhe rasti i Kosovës nuk përbën dhe nuk duhet të përbëjë shembull për lëvizje tjera në Evropë e gjetiu.

 

Është tejet e rëndësishme që qëndrimi i Kosovës karshi lëvizjeve të tilla të jetë në përputhje me qëndrimet e Bashkimit Evropian. Çdo orientim tjetër, do ta vë Kosovën përballë vështirësive të panumërta ndërkombëtare ashtu sikundër që do të na largojë nga rend-dita evropiane.

 

Dhe nëse ndodh kjo, për të cilën besoj që jo, dëmet do të jenë të pariparueshme.

 

 

 

 

 

 

 

Lajme të tjera