17:23, 24 Shkurt 2017 Autor: Shkëlzen Maliqi

Portali KoSSev nis një rubrikë të re në kuadër të faqes Dialog, e cila përbëhet edhe nga rubrikat “Nga ana tjetër e barrikadës” dhe “Bisedë pa shkas”.

Në rubrikën “Në lidhje të drejtpërdrejtë”, kolumnet e tyre javore në muajt në vijim do t’i publikojnë analisti nga Prishtina, Shkëlzen Maliqi, dhe analisti i politikës së jashtme, gazetari nga Beogradi Boshko Jakshiq (Boško Jakšić). Kolumnet e tyre do të publikohen edhe në gjuhën shqipe, në portalin “Klan Kosova”.

Kolumnën e parë – Çrregullimi i Ri Botëror, e shkruan Shkëlzen Maliqi. (Versioni në gjuhën serbe mund të lexohet KËTU)

Këtë rubrikë e ka mbështetur KFOS-i. Mendimet dhe qëndrimet e shprehura paraqesin mendimet dhe qëndrimet e autorëve dhe nuk përfaqësojnë doemos qëndrimet e donatorit.

===================================

 

Çrregullimi i Ri Botëror

 

Dialogu Kosovë – Serbi, i cili në fillim ishte më i suksesshëm dhe premtonte normalizim relativisht të shpejtë dhe më afatgjatë të marrëdhënieve mes dy vendeve, në kohët e fundit ka shënuar ngecje. Arsyet për këtë duhet kërkuar jo vetëm në rrethanat e brendshme jostabile në Kosovë dhe Serbi, por edhe në turbulencat që po i kalon Bashkimi Evropian, që është faktor kryesor ndërmjetësues i këtij dialogu. Për më shumë, mbi të dy këto situata bllokuese bie edhe hija kërcënuese e krizës botërore që mbase kushtimisht do të mund ta quanim jo rend i ri, por “Rrëmujë e Re Botërore”.
Andaj, kjo paraqitja e ime e parë në këtë projekt të “dialogut mes intelektualëve” m’i parashtron pyetjet: “Ku jemi ne në këtë rrëmujë?” dhe “Nga jemi nisur kështu?”.

Rreth kësaj çështjeje unë e kam gjithnjë e më shpesh një ndjenje të diçkaje tashmë të parë e të përjetuar. Më bëhet sikur i kam kaluar këto situata në ca kontekste pak më të ndryshme, më të vogla dhe lokale. Po kështu, kam përshtypjen se kontekstet në fjalë sikur dalin nga shtrati i tyre dhe shkrihen mes veti, ku pastaj nuk e kupton se cili është shkaku dhe cili pasoja.

Mos vallë në proceset historike po ekzistuaka një pandan apo variant gjithsesi më i sofistikuar i ligjit fizik të barazimit tek enët e lidhura edhe tek ajo dukuri që më parë e quajta “Hije kërcënuese e krizës botërore”? Çka nëse fjalën “hije” duhet ta zëvendësojmë me një fjalë tjetër, si “cunami”?!

Si shembull për çka po flas po e marr deklaratën e paradokohshme të një zyrtari të lartë të BE-së: “Nuk duhet lejuar ballkanizimi i Evropës“. Ky zyrtar i lartë, i brengosur për fatin e BE-së, fshikullon si të padëshiruar procesin që ne e kemi përjetuar në rajon, por njëkohësisht tërheq edhe vërejtjen se është e mundshme që njëjtë si kriza e jonë e vogël do të mund ta nxirrte kryet edhe një shumë më e madhe.

Tek mbrojtja e Evropës nga ballkanizimi më dukej se po dëgjoja jehonën e betimeve të gardës së vjetër të partizanëve dhe komunistëve jugosllavë në vitet e tetëdhjeta të shekullit të kaluar, kur federata filloi të shqyhej mbi baza etnike, e ata me tone të ngjashme grishnin nevojën për mbrojtjen e Jugosllavisë së Titos. Por, njëkohësisht i kujtoja edhe profecitë dashakeqe të euroskeptikëve nga rajoni që për procesin tejet të ngathtë të integrimit të shumicës së vendeve të Ballkanit në BE thoshin: “Derisa na vjen radha neve që të anëtarësohemi në BE-së, ajo mbase edhe nuk do të ekzistojë më!”.

Gjithsesi, ngecja në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë nuk do të ishte problem aq i madh nëse nuk do të mbisundohej nga kriza e vet qëllimit dhe të pritjeve nga dialogu. Për çfarë normalizimi marrëdhëniesh flasim nëse janë duke u lëkundur shkallët që na çojnë – përmes dialogut – deri te qëllimi për t’u bërë pjesë e Evropës së zhvilluar dhe të përparuar me struktura dhe standarde të saja të jetesës?

Por, arsyeja më fton që të jam i kujdesshëm, të mos i bindem analogjive sugjestive katastrofike. Pyetja është nëse Evropa duhet të perceptohet si aq e dobët dhe e lëkundshme sa që referendumi i Britanisë së Madhe dhe fuqizimi i të djathtës ekstreme dhe popullizmit në disa vende evropiane, do të shkaktojnë shembjen e shpejtë të saj, siç pati ndodhur me Jugosllavinë.

Ndonëse ka arsye serioze për brengosje dhe frikë, sidomos pas fitores së Donald Trumpit në SHBA, unë kam prirje të besoj se me shumë lehtësi është duke u nënçmuar aftësia dhe fuqia e BE-së për t’u mbrojtur nga kriza dhe për të gjetur moduse mbijetese dhe stabiliteti. Edhe pa Britaninë e Madhe, BE-ja ka mjaftueshëm fuqi dhe ndikim për parandalimin e përhapjes së “Rrëmujës së Re Botërore”. Analogjitë me shkatërrimin e Jugosllavisë, edhe nëse nuk janë krejtësisht të pabaza, gjithsesi janë tejet të parakohshme.

Depresioni dhe frika që përhapen për shkak të “Rrëmujës së Re Botërore“ edhe mund të kuptohen. Por, Kosova dhe Serbia, si edhe në përgjithësi vendet e rajonit që synojnë anëtarësimin në BE, nuk duhet të demoralizohen për shkak të ideve mbi shpërbërjen e BE-së që i përhapin lëvizjet euroskeptike, të cilat popullizmave dhe nacionalizmave në Ballkan u japin “argumente” për vazhdimin e konfrontimeve dhe përfundimin e proceseve të krijimit të shteteve etnike që, sipas tyre, kanë mbetur të “papërfunduara” gjatë luftërave të viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar. Jemi dëshmitarë se retorika ekstreme dhe  militante e nëntëdhjetave po kthehet me forma të reja të provokimeve dhe “dëshmive” mbi pamundësinë e bashkëjetesës së kombeve të ndryshme në shtetet e përbëra dhe jostabile çfarë janë Bosnja e Hercegovina, Kosova, Maqedonia, madje edhe Mali i Zi.

Fatmirësisht, këto tendenca nuk po arrijnë që të bëhen lëvizje mainstream si në kohën e shpërbërjes së Jugosllavisë. Nuk po kanë sukses as skenarët e destabilizimit dhe të kryengritjeve – që në disa qendra të fuqisë më së shumti po dyshohen si rezultat i intrigave të shërbimeve sekrete ruse – i kanë projektuar që të shërbejnë si casus belli, shkas për luftëra të reja. Mendoj në dështimin e aksionit aventurier të UÇK-së në Kumanovë në vitin 2015, në referendumin kontrovers mbi pavarësinë e Republikës Srpska në vitin 2016, në tentim-puçin në vigjilje të zgjedhjeve të fundit në Mal të Zi, si dhe në farsën e dështimit të lëshimit të vijës hekurudhore Beograd–Mitrovicë Veriore, me një tren tek i cili në 21 gjuhë ishte shkruar “Kosova është Serbi” dhe brendi “dekorohej” me reproduksione të afreskeve dhe ikonave nga manastiret mesjetare ortodokse në Kosovë. Edhe për këtë tren është thënë se erdhi si dhuratë e Rusisë për Serbinë, por nuk u arrit që kufijtë aktualë të Serbisë të “zgjerohen” simbolikisht as deri te Mitrovica, pasi që u detyrua të ndalet te kufiri ekzistues, në Rashkë.

Ndalja e trenit dhe mossuksesi i provokimeve për luftë gjithsesi janë sinjale se rajoni ynë ka nxjerrë mësime nga luftërat e mëparshme, si dhe e faktit se siguria e rajonit është duke u kontrolluar nga Perëndimi, përkatësisht nga NATO.

Beogradi dhe Prishtina shumë shpejt kuptuan se Evropa është ende gjallë, ku trenat pa asnjë problem kalojnë kufijtë, dhe se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka alternativë.

Por, krimbi i dyshimit tek unë nuk po qetësohet: çka nëse mbizotërojnë rrëmuja dhe e liga?

Në atë rast, cilin tren duhet ta kapim?

 

 

 

Lajme të tjera