Brukselizim, jo Europë 123 string(12) "Baton Haxhiu" string(65) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2018/11/baton-haxhiu.jpg" nga Baton Haxhiu 13.12.2016 20:35 13.12.2016 20:35 Kohëve të fundit shumë kosovarë e kanë popullarizuar sërish një varg që thotë: “Ah! Evropë…”. Ky vajtim ripopullarizohet ndër kosovarë sa herë që ata e ndiejnë veten të nënçmuar, të injoruar, të fyer, të trajtuar diskriminueshëm nga Europa. Por, kjo qasje më nuk ka të bëjë me Europën. Europa iu takon shqiptarëve, por esenca qëndron te një proces tjetër që po ndodh në kontinentin e vjetër. Brukselizimi. Thënë të drejtën, edhe mua, si çdo kosovari tjetër të arsyeshëm, shpeshherë kur jam munduar ta kuptoj sjelljen e BE-së ndaj nesh, më ka ardhur të bërtas me po të njëjtin varg. Por, këtë herë për Brukselizimin. Në veri të vendit u kthye muri, bashkë me entuziazmin e fitores së Trump. Dhe ky entuziazëm nuk është vetëm tek serbët e Kosovës, por edhe te vet Ministri i Jashtëm, Ivica Daçiq. Ai ishte mllefosur me Ministrin e Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhajn, dhe papërmbajtshëm iu kishte drejtuar: “Nuk i keni më Clintonët. Harrojeni”. Dhe ishte çuar nga tavolina. Të gjithë ministrat e jashtëm kishin mbetur të shtanguar me një bërtimë të pashije të Daçiqit. Kjo situatë dhe shumë tjera e kanë arritur pikën kritike. Dhe fjala e komisionarit Hahn se “nuk i përsërisim gabimet e bëra”, duke aluduar në shumë kufij të pasqaruar, dha urdhër që demarkacioni të kryhet. Dy javë më vonë, Gjeorgjia dhe Ukraina fituan gjithçka. Dhe asgjë në rregull nuk kishin. As kufij, as paqe, dhe më shumë korrupsion dhe abuzime. Kësaj radhe mllefi karshi miqve tanë nuk vjen nga ndonjë turmë e dalldisur ideologjike, nuk është dashaligësi qarqesh ksenofobe – është papërmbajtshëm që mezi presin ta kërcejnë Murin për në tokat e premtuara të luksit. Jo. Mllefi i sotëm është prodhim i NËNSHTRIMIT së palavdishëm të kosovarëve ndaj arrogancës së Brukselit. Kosovarët nuk trajtohen nga BE-ja njëjtë si tjerët përreth. Përparimet, përpjekjet e tyre, nuk maten me të njëjtën peshore dhe nuk honorohen siç shpërblehen tjerët. Shikojeni Gjeorgjinë dhe Ukrainën. Të dyja shtetet që morën të drejtën për liberalizim nuk i kanë të gjitha gjërat në rregull. Përkundrazi, qasja e BE-së ndaj kosovarëve u lë mjaft hapësirë atyre të dyshojnë në mos i gjithë institucioni – e jo vetëm disa anëtarë e kandidatë të saj – të lëngojë nga disponimi kundër ekzistencës së shtetit të Kosovës. Pandehje e rëndë kjo? Po, e tillë është, por e bazuar në shumë arsye. Sigurisht ju kujtohen skenat e rikthimit masiv të kosovarëve pas largimit të serbëve. Kundrejt faktit se nuk kishin ku ktheheshin, ngase jo vetëm shtëpitë, kafshët, punëtoritë, por edhe toka u ishte djegur, ata me një entuziazëm të paparë marshonin drejt vendit të tyre. Më shumë sesa vetë liria – të cilën, në ato kushte traume as që e konceptonin dot – i mbante në jetë, i motivonte, u jepte shpresë, besimi i tyre se Perëndimin kësaj radhe e kishin në anën e tyre. Kjo bindje – se Europa do t’i ketë korrigjuar gabimet e saja historike ndaj tyre – ishte baza e sigurisë që kishin drejt një epoke të re. Çfarë ndodhi pastaj? U instalua UNMIK-u. Instruktorë nga e gjitha bota erdhën t’i ndërtojnë institucionet e shtetit të ri. Një pjesë e madhe e emisarëve vinin nga vendet me probleme edhe më të rënda në raport me demokracinë, shtetin dhe ligjësinë, sesa ç‘mund t’i kishte vetë Kosova në fillimet e saja. Një pjesë tjetër e tyre nuk kishte lidhje me kulturën dhe rrethanat ku kishin ardhur të ndihmonin. Nuk ishin të rrallë ata që për interesa të shteteve prej nga vinin sabotonin ku mundnin. Vetë UNMIK-u vepronte dhe arsyetonte prezencën e tij (dhe ende e bën këtë, ndonëse formalisht) mbi dokumente që e trajtonin vendin si pjesë të Serbisë, ndonëse Kosova ishte shpallur shtet dhe ishte njohur nga një shumicë vendesh. Për fund, Kosova u shndërrua në një muze projektesh të dështuara dhe zonë ku shtetet eksperimentonin konsistencën e diplomatëve të tyre të karrierës. Institucionet? Shumëçka u ringrit nga gërmadhat e asaj që kishte mbetur: ligjet, policia, sistemi arsimor, infrastruktura. Sot kur disponojmë me njohuritë rreth asaj faze konstatojmë se rifunksionalizimi i nevojshëm, gjithëpërfshirës dhe progresiv, dështoi pikërisht për shkak të qëndrimit ambivalent të UNMIK-ut ndaj shtetësisë së Kosovës. Politika e pasigurt e UNMIK-ut mundësoi që zona dhe rajone të Kosovës të futen nën ndikimin e disa warlord-ëve kriminelë shqiptarë e serbë; ajo duke sugjeruar të jetë omnikompetenca e vendimeve absolute politike e jopolitike mbi fatet e Kosovës degjeneroi edhe më shumë vendorët të cilët nuk punonin sepse besonin të jenë o për dekor, o për të vjedhur kabineteve e zyrave të aparatit qeverisës e burokratik. UNMIK-u iku, erdhi EULEX. Sidomos në sferën e drejtësisë, BE-ja në Kosovë trashëgoi një gjendje katastrofale. Ose thënë më mirë; u ndesh me një shoqëri pa gjyqësi fare. Filluan proceset. U dënuan plot komandantë. U arrestuan një numër i konsiderueshëm njerëzish të fajshëm e të pafajshëm. Pas Hagës, Kosovës si viktimë të luftës për shkak të dështimit të EULEX-it në shumë segmente i bëhet edhe Gjykatë Speciale. Të gjitha i duron Kosova përkundër faktit që imazhi i saj rrjedh gjak gojëve të botës. Mediat denoncojnë me vend e pa vend çdo anomali që konsiderohet të jetë kundërligjore. OJQ-të nuk lënë gjë pa e raportuar që mund të pengonte zhvillimin e demokracisë, shtetit dhe ekonomisë. Shoqëria kosovare gjendet në luftë të egër me korrupsionin si në asnjë vend tjetër përreth dhe përveç ca telefonatave kërcënuese nuk preket asnjë gazetar, aktivist apo grup i shoqërisë civile. Prapëseprapë dhe përkundër gatishmërisë së qeverisë dhe shoqërisë për koncesione, dialog, kompromise, tolerancë, janë kosovarët ata që nuk u jepet liberalizimi i vizave. Pse edhe BE-ja, njëjtë si UNMIK-u, dëshiron të vendosë drejtësi në një vend që natën e njeh, por ditën bëhet sikur nuk e sheh? Që të mos acarohet Serbia? Keni krahasuar ndonjëherë diskursin e brendshëm në mediat shqiptare me atë serbe? Po retorika e politikanëve kosovarë a i përngjan atyre të Nikoliqit dhe Daçiqit? Jo. Dhe kjo nuk është farsë. Sepse vitet e fundit, përkundër anomalive të shumta, në Kosovë kanë ndryshuar shumë gjëra që në vendet përreth nuk pritet të ndodhin edhe gjatë kohë. Në Maqedoni, që nga dogana e deri në kabinetin e kryeministrit gjithçka është e korruptuar, privatizuar. Incidentet ndëretnike janë përditshmëri, manipulimi i votave ritual normal, mafia ekonomike ndanë selinë me kryeministrinë. Thyesi maratonik i gjitha embargove gjatë luftës dhe marrëveshjeve të sotme në parandalimin e tregtisë së zezë, Mali i Zi, i përngjan një principate vëllezërish që kanë pushtuar çdo sferë të shtetit për përfitime private. Për tjerat pak më tej as që duhet të flasim, i keni në BE, brenda, dhe ua dini hallet më mirë. Pse atëherë Evropa Serbisë, Maqedonisë, Shqipërisë, Gjeorgjisë, Ukrainës, Bullgarisë dhe të tjerëve ua liberalizon vizat, e kosovarëve jo, kur pothuajse në shumë aspekte jemi shumë para fqinjëve tanë? Kanë frikë se 1.8 milionë banorët e Kosovës do t’ia mësyjnë BE-së? Apo ky është qëllimi i Brukselit? Sigurisht jo, por efekti është i tillë ngase mosliberalizimi i vizave, vonesa e MSA-së, qëndrimi ambivalent i BE-së dhe gjitha refuzimet tjera e zhgënjejnë dhe e depresionojnë studentin, të riun, qytetarin kosovar, të cilit nuk i mbetet gjë të tjetër veçse të ikë nga vendi, nga vetja. Njëra ndër simbolikat më të fuqishme dhe më kuptimplote të qasjes së BE-së ndaj Kosovës është Pallati i Drejtësisë, i inauguruar në muajin mars në periferi të Prishtinës. I ndërtuar në një lokacion të papërshtatshëm, objekti që kushtoi 30 milionë euro shpejt u bë i famshëm për defektet elementare teknike, gabimet e mëdha që e pengojnë punën normale, e deri te rrezikimi i jetës së punëtorëve nga disa aksidente. Nuk besoj se ka simbol më identifikues për qasjen neglizhente të BE-së ndaj Kosovës sesa ndërtesa e Pallatit të Drejtësisë. BE duhet ta ndërrojë qasjen ndaj Kosovës. Ne nuk kërkojmë privilegje, por trajtim të barabartë me të tjerët. Përndryshe, entuziazmi i shqiptarëve për Europën nuk ka asnjë kuptim. A dini çka më përkujton kjo ndihma e Europës ndaj shqiptarëve? Ma sjell parasysh atë rrëfimin e Shekspirit rreth Antonios dhe Shylok-ut tek “Tregtari i Venedikut”. Tregtari Shylok i ndihmon Antonios me para me kusht që në rast moskthimi t’ia presë një copë të madhe mishi nga trupi. Kur Antonios i dështojnë bizneset dhe nuk ka se si t’ia kthejë borxhin, Shyloku i çshpirtëruar i drejtohet me një thikë të madhe dhe dëshiron t’ia presë një copë nga fytyra. Në momentin e fundit mbërrin avokati i zgjuar Balthasar dhe… Përfundimin e stories sigurisht e dini edhe vetë. A janë të sigurt se europianët e dinë për çfarë flasin kur flasin për Kosovën në Bruksel? Unë gjithnjë e më shumë frikohem se ata nuk e marrin dot me mend se çfarë ndikimi ka inercia poshtëruese për popullin kosovar, i cili lëvizte i lirë në diktaturë, por tash po mbahet i ndryrë në demokraci. Dhe për fund: unë nuk e di ku do të gjendet një Balthasar për të mos e lejuar rikthimin e inatosur të historisë sonë. Por, as Brukseli nuk e di këtë. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.