Bariu Nostalgjik 123 string(12) "Baton Haxhiu" string(65) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2018/11/baton-haxhiu.jpg" nga Baton Haxhiu 18.05.2015 15:22 18.05.2015 15:22 Ali Ahmeti i bëri të gjithë qytetarët si veten. Nostalgjikë. Dhe i la shokët të vriten pa kuptuar se vija e të konsideruarit terrorist, shpëtimtar apo atdhetar, është shumë e hollë. Gjithë dynjaja ia qante hallin se e kishte humbur atdheun. Se për vite nuk e kishte takuar nënën. Njëzet e pesë vjetët e mungesës së tij ruanin kujtimet për të, në kohën kur bashkë i ruanin delet. Bashkëfshatarët nuk kishin asnjë mall për të. Ata e kishin harruar, ndonëse Ali Ahmeti kishte vuajtur nga malli, edhe pse nuk i ishte kujtuar asgjë për vendin e tij pas ikjes. Kur shkrimtari Milan Kundera e ka përshkruar nostalgjinë, domethënien e togfjalëshit, ai ka pasur parasysh njerëzit si Ali Ahmeti dhe të ngjashmit me të. Dhembja nga malli për vendin dhe për kujtesën e fëmijërisë e bëjnë njeriun që të mos e shohë të vërtetën. Fjala është për kthimin dhe mungesën e atdheut. Kthimi në greqisht quhet “Nostos”. “Algos” do të thotë vuajtje. Të dyja bashkë e bëjnë “Nostalgos”. Kur deshifrohen këto dy fjalë, atëherë nostalgjia është vuajtje që shkaktohet nga dëshira e paplotësuar për të përjetuar kthimin, fëmijërinë dhe atdheun. Tokën, vendlindjen. Ne shqiptarët e përdorim konstruktin nostalgjik: “Kam mall për ty”. Ali Ahmeti nuk e ka ditur dhe nuk e ka mësuar se kujtesa – po nuk u përdor dhe nuk u freskua me informata – të kthen aty ku ke mbetur. Te fëmijëria. Nëse nuk ka biseda mes miqsh, ato kujtime largohen. Dhe u desh një luftë për ta provuar rikujtimin e së kaluarës. Por, e kaluara i kishte humbur. I kishte mbetur vetëm pjesa avanturiere e nostalgjikut dhe kujtesa e fëmijërisë. Në emër të epopesë së luftës së UÇK-së, Ali Ahmeti nuk kishte kuptuar se nostalgjikët janë avanturierët më të mëdhenj. Ata kthehen te fëmijëria dhe jeta e munguar duke bërë jetë pa shije për gjithë ato vite që janë jashtë – në ekzil. Duke e përdorur luftën si arsye kryesore. E vërteta del të jetë në fëmijërinë e tij të lënë në gjysmë. Beteja me fqinjët se kush e ka kopenë më të madhe, duke e harruar esencën e betejës dhe përgjegjësinë e marrë për qytetarin në emër të një lufte. Në emër të Nostalgjisë për fëmijërinë, për delet, për fushat ku ato kullosin dhe shumohen, çdo vit vuajnë shqiptarët dhe maqedonasit. Në emër të nostalgjisë për fëmijërinë harrohet kauza e qytetarit. Ata vuajnë në emër të deleve. Ali Ahmeti ka qenë i bindur se po shkonte për të mos u kthyer më. Por, nuk e kishte kuptuar sa vështirë është që t’i bësh vetes një vend të merituar në botën e huaj. Ai mbeti të kujtesa e fëmijërisë dhe u shpall viktimë e merituar e kohës së diktaturës. Kthimin e pati të nostalgjikut. Nuk kishte kuptuar se çfarë ishte shteti dhe atdheu i tij i munguar. E shpalli veten viktimë dhe nisi udhëheqjen. Mirëpo, diçka nuk kishte harruar. Fëmijërinë. Delet. Fshatin. Në emër të deleve dhe fëmijërisë, qytetarët i la vetëm. Shqiptarët u katandisën si është më keq. Një qytet i madh për rrethanat tona iku në Perëndim në emër të jetës më të mirë (statistikat tregojnë se 135.000 shqiptarë nga Maqedonia janë larguar në rrugët e botës). Duke e ditur sa i vështirë është Perëndimi, Ali Ahmeti i bëri të gjithë qytetarët si veten. Nostalgjikë. Të pashpresë për një jetë më të mirë. I bëri aventurierë siç ishte vetë. Vetëm për një arsye: i dha fuqinë Gruevskit për dhjetë vjet. Dhe i la shokët të vriten pa kuptuar se vija e të konsideruarit terrorist, shpëtimtar apo atdhetar, është shumë e hollë. Këtë epitet ta jep dhe ta merr politika. Kur u nisën për liri dhe barazi me shokët, të gjithë ishin të barabartë. Tash pritet epiteti. Kush përfitoi dhe kush do të jetë terrorist. Ata që po bëjnë krime në emër të shtetit, apo ata që huqën rrugën në emër të një mashtrimi për një ideal të munguar. Sot, Ali Ahmeti është me Nikola Gruevskin. P.S. Më erdhi keq që Kryeministri dhe Kryeparlamentari i Shqipërisë, bashkë me Ministrin e Jashtëm, i bënë pranim publik liderëve që marrin pjesë në një regjim politik. Zgjatja e dorës regjimit kriminal do të thotë përkrahje. Këtu, në asnjë mënyrë nuk e ndan dot Nikola Gruevskin nga Ali Ahmeti. Kjo kolumne është publikuar fillimisht në Politiko.net *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.