12:47, 10 Gusht 2018 Autor: Carl Bildt

Kur flitet për të ardhmen e Ballkanit, diskursi pak nga pak po rrëshqet kah propozimet për ndarje të reja në rajon – që është recetë për paqëndrueshmëri gjeopolitike.

Liderët serbë dhe shqiptarë e kanë qëmtuar mundësinë e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve përmes shkëmbimit të territoreve, në mënyrë diskrete. Ideja e zgjidhjes së mospajtimeve përmes shkëmbimit të territoreve ka regëtirë në Beograd për vite të tëra, por së fundmi, duket të jetë bërë më e pranueshme edhe në qarqet shqiptare, po ashtu.

Kjo ide nuk është aspak e re, por ka qenë dhe mbetet e rrezikshme. Diktatori serb Sllobodan Millosheviq dhe lideri kroat Franko Tuxhman në vitet e 90-ta të shekullit të shkuar bënin plane për ta ndarë Bosnjën mes vete. Reagimi ndërkombëtar i dha fund këtij komploti.

Deri tani, qëndrimi i Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka qenë i qartë: kufijtë e jashtëm dhe të brendshëm të ish-Jugosllavisë nuk guxojnë të preken dhe zgjidhjet duhet kërkuar brenda tyre. ‘Ballkanizimi’ i mëtejmë i Ballkanit çon në konflikte dhe gjakderdhe të reja.

Çështja e Kosovës mbetet një nga problemet më të mëdha që ka rajoni. Ajo nuk u zgjidh nga intervenimi i NATO-s më 1999, as nga njohja, prej një numri të madh shtetesh, e mëvetësisë së shpallur nga Kosova më 2008. Mosnormalizimi i raporteve mes Serbisë dhe Kosovës zvogëlon potencialin e dy vendeve dhe stabilitetin e rajonit. Ndaj ideja për shkëmbim territoresh ka rinisur të qarkullojë. Ide që mund të ketë versione të ndryshme. Kosova mund të heqë dorë nga territori në veri të Ibrit, i banuar gati krejtësisht me serbë, të njihet ndërkombëtarisht, dhe ndoshta të fitojë disa territore të banuara kryesisht me shqiptarë në Serbinë Jugore.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq e ka menduar këtë mundësi, ndërsa kryeministri shqiptar Edi Rama duket ta ketë mirëpritur këtë ide.

Së fundmi, Kisha Ortodokse Serbe dhe udhëheqja e saj në Kosovë i ka kundërshtuar fuqishëm këto ide. Ata thonë se ndarja në këtë formë do të ishte tradhti ndaj serbëve që jetojnë në jug të Ibrit, që do të mund të çonte në spastrim etnik dhe kërcënim të monumenteve ortodokse. Shumica e serbëve të mbetur në Kosovë jetojnë në jug të Ibrit.

Këto frikëra janë përgjithësisht të përligjura. Shkëmbimi i territoreve mund të përcillet nga lëvizje të popullsisë, për të krijuar territore me homogjenitet etnik. Megjithëse disa e shohim këtë si shteg për më shumë stabilitet, drejt një bashkimi më të gjerë mes Kosovës dhe Shqipërisë, kjo zor se mund të ndodhë.

Përveç kundërtive që do të lindnin në shtetet që preken nga ky shkëmbimi(që me vështirësi mund të zbatohet), ai rrezikon ta hapë Kutinë e Pandorës. Do të mund ta rihapte debatin për të ardhmen e Bosnjës. Liderët radikalë serbë të Bosnjës do ta mirëprisnin këtë rast.

Pastaj çështje më e vështirë dhe më e rrezikshme është ajo e Maqedonisë, ku shqiptarët përbëjnë pjesë të madhe të popullsisë. Nëse territoret shqiptare në rajon do të bashkoheshin përmes shkëmbimit të territoreve, mund të ketë të atillë që do të pyesin pse kjo gjë të mos ndodhë edhe në Maqedoni. Kjo do të ishte lojë me zjarrin.

Në Bruksel dhe Uashington mund të ketë të atillë që thonë: pse të ketë kundërshti?, nëse liderët pajtohen për shkëmbim territori mes Kosovës dhe Serbisë. Veçanërisht nëse rrjedhojë është vendosja e raporteve diplomatike mes dy vendeve. Në një kohë kur krejt vëmendja duhet përqëndruar në promovimin e stabilitetit, ndërrimi i kahut në këto çëshje do të thotë t’ua çelësh derën problemeve për dekadat në vijim.

Natyrisht që duhet gjetur një kompromis mes Beogradit dhe Prishtinës, si rrugë drejt integrimeve europiane dhe atlantike për të dy vendet. Ai mund të përfshijë thellim të decentralizimit për serbët në Kosovë si edhe pranimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara. Janë bërë pesë vjet qëkur BE-ja ndërmjetëson marrëveshje për normalizim të raporteve mes dy vendeve, por që atëherë përpjekjet diplomatike të BE-së dhe Amerikës janë zbehur. Si pasojë, ideja e ndarjes është kthyer në rajon, që edhe ashtu ka qenë mjafton i ‘Ballkanizuar’.

Kjo është e rrezikshme, ndaj Uashingtoni dhe Brukseli duhet të reagojnë. Integrimi shkallë-shkallë i Serbisë dhe Shqipërisë në Union dhe NATO, mbi kufijtë ekzistues, është e vetmja rrugë drejt stabilitetit në rajon. Loja me kufijtë dhe ndarjen në Ballkan ishte e rrezikshme në të 90-tat dhe mbetet e rrezikshme edhe sot.

 

Kjo kolumne e ish-kryeministrit suedez Carld Bildt është botuar në Washington Post, ndërsa është përkthyer nga klankosova.tv

Lajme të tjera