Avokatët e shpifjes 123 NULL NULL 27.04.2017 10:00 27.04.2017 10:00 Shpifja dhe fyerja nuk mbrohen. Ato duhet të dënohen. Refuzimi kaq i zëshëm mirëpo i një ligji të tillë flet për gjendjen e rëndë të vlerave dhe komunikimit publik në shoqëritë shqiptare. Draft-Kodi Penal i propozuar kundër shpifjes dhe fyerjes tërboi sferat si ashtu të elektrizuara sociale e mediale. Të parët në front (gazetave sidomos) u shfaqën avokatët, striptizeret pornafine dhe parti të caktuara. Pandehjet: Thaçi ndjek sivëllain e tij Erdoganin; vendi ynë demokratik-fantastik rrëshqet drejt diktaturës; rrezikohet shprehja e lirë dhe tjera të sojit. Avokatët si zakonisht paradite mbrojnë shpifësin nga ligji, pasdite mandant kanë viktimën e ndonjë shpifësi dhe përdorin ligjin si mjet për ta zhvatur të gabueshmin. Prandaj në botën përtej shqiposferës mediat nuk pyesin avokatët – se duhet të flasin kundër veprimtarisë së tyre konkrete – por ekspertët e ligjeve (me studime të dëshmuara) që kanë të bëjnë me mbrojtjen e «personalitetit, dinjitetit të tij, të drejtat individuale, nderin» dhe që njohin ligjet në vendet më të zhvilluara demokratike. Mediat nuk botojnë qëndrimet e striptizereve, ngase këto nuk janë të fushës dhe ngase nuk merren me shkencë e drejtësi, por me ekspozim të fragmenteve të tyre trupore me synimin e aktivizimit permanent seksual të masave – aktivitet i mirë për qarkullimin e gjakut dhe shëndetit, por s’ka të bëj me çështjet ligjore. Partitë janë fabrikat kryesore të fyerjeve dhe shpifjeve, kështu që po i sanksionove të dyja me ligj, me çka t’i marrin votat? Me programe dhe kulturë politike? Ndoshta e provojnë pasi të aprovohet ligji. E mediat? Pak më vonë, tash le të sqarojmë se ç’ nënkuptojmë me fyerje, shpifje dhe si trajtohen ato nga ligjet e demokracive më të zhvilluara të perëndimit? Shpifja në fjalorin shqip-shqip shpjegohet kështu: «Fjalë të rreme, trillime, gjëra të paqena që thuhen me qëllim për të përlyer nderin a emrin e mirë të dikujt, për t’i ngarkuar një faj që nuk e ka bërë, për të njollosur diçka ose për synime të tjera të pandershme; përhapja e fjalëve a e trillimeve të tilla. Shpifje të poshtra (të ulëta, të ndyra, të shëmtuara, trashanike). Fushatë shpifjesh.(…) Shpifja dënohet me ligj». Fyerja sqarohet në këtë mënyrë: «Fjalë a qëndrim që të cenon në nder a të prek në sedër; ndjenja që provojmë kur na fyen dikush». Ligjet në hapësirën gjermanofone. Zvicra si shembull: Nëse dikujt ia tregon gishtin e mesëm, i thua «Gruaja jote është lavire», dënohesh me 180 ditë pune në favor të shtetit ose i paguan nëse ke para. Nëse përhap trillime, gjëra të paqena në mënyrë sistematike, me shkrim, pra shpif kundër dikujt (neni 177) dënohesh me 3 vjet burg ose 360 ditë punë të detyruar në favor të shtetit. Nëse dikujt i thua «Psikopat», «vendin e ke në psikoklinikë», «bythqirë», «idiot», «i pamoralshëm», «leckë» dënohesh 90 ditë punë të detyruar, ose me kompensim në para. Nëse fyen, difamon shtetin, institucionet e tij, simbolet, bartësit e pozitave dhe përfaqësuesit e tij në Zvicër (Neni 270) dënohesh deri në tri vjet burg, në Gjermani me tri vjet burg (Neni 90) dhe në Austri deri më 1 vit (Neni 248). Nëse fyen kryetarin e shtetit padia mund të jetë e dyfishtë, pra në njërën anën për difamim të personit (individit) e nga ana tjetër të institucionit (360 ditë punë +3 vjet burg). Praktikimi i këtyre ligjeve ndodhë rrallë. E para ngase shumica e qytetarëve të këtyre vendeve i njohin ligjet, kanë kulturë ndryshe komunikimi se ç’është në Ballkan dhe se jo çdo injorant i shoqërisë depërton në media saqë çështja të bëhet kauzë. Paditë refuzohen edhe në raste kur tiparet që dikujt i vishen janë aksiomë, janë të njohura, si p.sh. kur i thua dikujt ksenofob, racist e ai vetvetiu ka dëshmuar apo është dënuar si i tillë. Nëse çështja qenka «normale», ligji i formës duke u praktikuar për të mbrojtur «nderin dhe personalitetin, privatësinë e individit, grupeve e të ngjashme, gjithandej e sidomos në vendet më të zhvilluara demokratike që gjenden edhe në krye të listave për liri të mediave, pa korrupsion dhe me lirinë dhe të drejtat më të avancuara qytetare, pse implementimi i të njëjtit në Kosovë qenka përpjekje për instalim të diktaturës, kufizimi i shprehjes së lirë? Nuk është aspak. Shpifja dhe fyerja janë instrumente mizantropësh, partish pa substancë dhe njerëzish të pakulturë. Ato s’kanë të bëjnë aspak me fjalën apo shprehjen e lirë. Pse duhet të fyhet dikush? Pse duhet të shpifet ndaj dikujt? Refuzimi i një ligji të tillë nga partitë deri diku është edhe i kuptueshëm; mediat e tyre nuk do mundeshin më aq lehtë dhe pa fakte të sajojnë kampanjat më brutale dhe pa fije fakti kundër njërit apo tjetrit krah politik, ngase do detyroheshin para gjyqeve të dokumentojnë ose të thyejnë gurrë 360 ditë afër «Kullës» në kufi me Malin e Zi apo diku tjetër. Qytetarët mirëpo, grupet që vazhdimisht ankohen pushteti të merret me shpifje, fyerje dhe gënjeshtra, këta çka kanë? Ku e marrin motivin të bëhen apologjet të shpifjeve dhe fyerjeve? PostScriptum: Një aktivisteje të LVV-së që u shpreh kundër ligjit i shkrova: «E po mirë mos kërkoni penalizim të atyre që thanë se Albin Kurti është impotent dhe gruaja e tij k…». «Aaa jo kështu, s’bën», mu përgjigj. Si s’bën, kur s’ka ligje për ta ndëshkuar? Nuk shkroi më. Një tjetër që mbronte peshqirin e një komandosi spiritual të tij më shkroi: «Edhe ti je bërë si këta miqtë e Erdoganit. Me sa pare të ka blerë Hashimi?». Fatmirësia që të dy jetojmë në Zvicër. «Këtë ofendim tëndin të jem si Erdogani dhe i korruptuar nga struktura në Kosovë, do ta dorëzoj nesër në gjykatë ne Bernë se shpif rëndë». «Oooo amigo tallem bre, sa shpejt hidhërohesh». Çka na thonë këto shembuj: se njerëzit mbeten pa gjuhë, pa instrument argumentativ kur i ballafaqon me shpifjet që kanë të bëjnë me interesat e tyre. Problemi është se nuk mendojnë thellë, por bëhen apologjet të veseve më të ulëta njerëzore instinktivisht. Natyrisht përveç atyre që shpifjen e kanë biznes dhe armë të vetmen mbijetese. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.