13:02, 22 Qershor 2017 Autor: 

Tek aderimet, prurjet, integrimet mund të lexojmë aftësinë, gatishmërinë dhe potencialin e partive për reforma të brendshme. Çka mësuam zgjedhjeve të fundit në këtë drejtim? Cila parti del aspirator, fshesë elektrike ithtarësh, të pastrehësh e militantësh; cila prej tyre përdori metodën e “trashëgimtarëve” dhe cilat vërtet kanë kuptuar se me modelin e partive klasike nuk bëhet demokracia më?

Rezultatet e këtyre zgjedhjeve nuk do t’i kisha marrë si trend për fuqinë afatgjate të partive.

Bëjnë gabim partitë që nga pasioni i pakontrollueshëm për pushtet e madhësi kapërcejnë limitet e realitetit faktik, kështu duke vepruar sikur tashmë u gatuan si fuqia predominante politike e së ardhmes. Jo vetëm për zgjedhjet që vijnë por madje për histori.

Rëniet dhe ngritjet e partive aktuale nuk rezultuan për shkak të koncepteve. Përkundrazi u ndëshkuan pikërisht ato që paralajmëruan koncepte ndryshe. Kjo ndodhë kur elektori vendos i revoltuar e jo se vërtetë shpreson apo beson në diçka.

Rishpërndarja e votës ndodhi; nga njëra anë si akt mosbesimi ndaj atyre që “ndryshuan” e nuk patën mundësi ta virtualizojnë sa duhet këtë dhe nga ana tjetër u shkaktua nga tërheqja me paramendim e PDK – së si nga plotë “bastione” deputetësh të njohur ashtu dhe nga postet kyçe. Me këtë potez Kadri Veseli dëshmoi se vërtet i ka hy reformës: për hir të koalicionit ai hoqi një numër të konsiderueshëm deputetësh dështakë e të njollosur dhe për të fituar kohë ai ua paradha pushtetin tjerëve. Këtë e bëri PDK. Prandaj rritja e Nismës dhe AAK – së ka të bëjë eventualisht më shumë me këtë potez të Kadri Veselit se sa me diçka tjetër. A do të rriteshin më shumë AAK dhe Nisma nëse nuk bashkoheshin para zgjedhjeve? Me siguri. Por edhe PDK do të humbte më minimal. Trendi i rënies, mirëpo, nëse Veseli zgjidhte opsionin tjetër, i PDK – së viteve të ardhshme do të ishte më dramatik, radikal e i pakthyeshëm. Me këtë teknikë ajo do të shpëtojë.

Nga kjo taktikë e Veselit përfitoi megjithatë më së shumti natyrisht LVV. Drejt tyre u vërsulën me anëtarësime e me votë gjithë ata që nuk e parafytyrojnë dot komodimin në shoqëri pa pasur një parti në krah. Konstatimi i Milaim Zekës: “Nga analizat e listave që kam bërë, të paktën janë 40 kandidatë të listës së VV, të cilët vijnë nga radhët e PDK se. Këta njerëz, të cilët kanë qenë aktivist të devotshëm të kësaj partie, normal që me vete e kanë marrë edhe votuesin e tyre“ – është shumë i saktë!

E njëjta nuk mund të thuhet për LDK – në. Kjo ishte e para-dënuar të humbë çka do që të bënte. Kështu për arsye se nuk ofroi as ndryshimin, reformën e as rikthimin në “rrënjët rugoviste” (çka do që të nënkuptojë kjo) që e kërkojnë ulërishëm bazat e saj. Gabimin tjetër që bëri LDK duke hyrë në koalicion me një paraparti si AKR, e cila pandehet edhe nga analistë të jashtëm, ndoshta padrejtësisht, si “bërthama e subverzionit rus nëpërmjet islamit radikal politik për t’i asistuar politikës serbe në Kosovë”, do ta paguajë rëndë edhe gjatë kohë. Themi ndoshta padrejtësisht atakohen vetëm këta, ngase në LDK paska – siç thonë – edhe koka tjera shumë afine të versionit turko- e sheriatofil të politikës kosovare si Lutfi Haziri dhe Lumir Abdixhiku, i cili edhe “studimet” ia dedikon “Allahut të gjithëpushtetshmit e të madhërishëm”. Pra ky paragjykim për AKR është si duket insinuatë aq sa është edhe për personat e përmendur e vjetër e të rinj të LDK – së, të cilët dalin vetëm demagog në këtë drejtim e jo me kapacitete për të paraprirë infiltrime të tilla.

II.

Partitë janë ato që krijojnë pushtetet. Që nga formimi i tyre e deri sot flitet se ato janë të mendësisë moniste, primateske dhe klanore. Me të drejtë se ashtu janë. U mungon totalisht demokracia e brendshme në aspektin e krijimit të hierarkive. Rrëfimet që nga rrahja me karrige e deri tek marrjet në pyetje si në kohët e KOS – it nuk janë të sajuara, por të dokumentuara. Nuk ishin vetëm në LDK e LVV por gjithandej.

Këtyre zgjedhjeve disa nga partitë e kuptuan se e ardhmja iu takon atyre partive që hapen, demokratizohen, pastrohen, shkorruptohen, deklanizohen e jo më atyre të bastioneve, falangave, fiseve, diktatit e të ngjashme e tjerat as kësaj radhe nuk e kuptuan këtë. Se cilat i hyrën katarsisit e cilat jo shihet edhe nga aderimet, prurjet, integrimet, përjashtimet. Le ti shohim personat me karakteristikën dominante të tyre në partitë ku aderuan.

  1. Në cilin sistem partiak mund të disiplinohet Milaim Zeka? Nuk besojmë se ka ndonjë ku ai nuk do shante e përlante sapo të besonte se zbuloi një anomali që bie ndesh me parimet e tij – kjo është marka e personalitetit të tij. Pse rrezikon një parti duke marrë atë në radhët e veta?
  2. Cili është dallimi qoftë biografik, karizmatik, material apo politik ndërmjet Isa Mustafës dhe dy paraardhësve të tij si Avdullah Hoti dhe Lumir Abdixhiku?
  3. Në cilin plan ideopolitik përputhet Halil Matoshi me parimet politike të AAK-së? Mund ta gjejmë ndonjë element të rastësishëm, por jo më shumë. Tek Matoshi, mirëpo karakteristika dominante personale nuk janë idetë e tij “subversive” interesante e që e futën në parti por pakorruptueshmëria e tij materiale deri në vetësakrifikim. Nëpërmjet Halilit dikush transmetonte vendosmërinë se ky është tipi ynë ideal.
  4. A ka biografi ma të kundërt, më paradoksale se ajo e Arbana Xharrës në krahasim me tipin e deritashëm politik të PDK – së? Jo nuk ka. Ajo 17 vjet i ka luftuar pikërisht anomalitë për të cilët është akuzuar përherë partia. Ndryshoi ajo apo partia? Kjo që nuk shihej para zgjedhjeve dëshmohet tash pas zgjedhjeve: PDK vërtet është nis ndryshimit dhe nuk e ka vetëm taktikë kozmetike.
  5. Cili nga aderimet në LVV nuk është totalisht i fascinuar dhe luftarak në mbrojtje të integritetit dhe personalitetit të liderit? Donika Kada qante për Ramushin dhe vret sot për Albinin. Shumica e të aderuarve aty janë njerëz që kanë biografi partive tjera me të njëjtin militantizëm agresiv.

III.

Çka mësojmë nga kjo radhitje? Tri kategori kryesore; a) parti që kërkojnë adeptët e tyre, liderë që zëvendësojnë veten me kopje të tyre, b) parti që rekrutojnë vetëm ithtarë që i nënshtrohen totalisht liderit dhe bindjeve të tyre dhe c) parti që kanë vendosur të ndryshojnë ngase janë bindur se sistemi klasik i partive të militantit besnik dhe njëdimensional ka vdekur dhe se me të nuk ndërtohet demokracia kualitative e as shteti.

A është LDK, B është LVV dhe C janë partitë në PAN. Realitet që mund të jetë i hidhur por kështu del. Prandaj konsiderojmë shumë gabim “guximin” e tamtamshëm që sugjeron; partitë që u rritën të jenë e ardhmja e demokracisë kosovare dhe ato që do rrinë në opozitë se nuk duan t’i thyejnë parimet (Cilat??!!). Nëse jemi dakord se pa reformim të partive nuk ka qeveri kualitative atëherë apriori detyrohemi të pranojmë se e ardhmja është e atyre që ndryshojnë, pranojnë gabimet dhe mësojnë e jo e atyre që bëhen strehë e imitatëve apo pelegrinëve të tyre.

Lajme të tjera