10:04, 7 Nëntor 2018

Si të pastroni atlete e bardha prej kanvase në mënyrë efektive pa i larë ato në ujë me detergjent dhe pa i futur në lavatriçe ku rrezikojnë të shkatërrohen?

Ekziston një metodë e thjeshtë, një produkt natyral që largon papastërtië dhe hijet e verdha në pak kohë, duke u kthyer shkëlqimin atleteve tuaja të dashura dhe duke i bërë të duken borë të bardha, shkruan Shije.

Ndiqni instruksionet më poshtë:

Receta

Për t’u rikthyer bardhësinë atleteve të bardha dhe për të pastruar njollat nga maja deri tek lidhëset, duhet të merrni pak bikarbonat natriumi ( ose sodë) dhe ujë të oksigjenuar. Në një tas, hidhni një lugë plot me bikarbonat, një lugë gjelle ujë të oksigjenuar dhe gjysmë luge ujë derisa të merrni një përbërje formë paste.

Si ta aplikoni produktin

Hiquni lidhëset atleteve dhe lërini mënjanë. Me një furçë dhëmbësh të vjetër ose me një furçë thonjsh të pastër, aplikoni kremin e formuar në gjithë sipërfaqen e këpucëve, duke i masazhuar lehtësisht dhe duke insistuar në pjesët më të pista. Më pas, lërini në diell për 2 ose 3 orë në mënyrë që produkti të thahet siç duhet.

Ndërkohë, lidhëset lërini në solucionin e mbetur ku do të shtoni edhe një lugë tjetër me ujë të oksigjenuar. Kur të shihni që janë pastruar, shpëlajini me ujë të bollshëm dhe nxirrini të thahen bashkë me atletet.

Më pas, merrni këpucët dhe shkundini mirë për t’i pastruar nga bikarbonati i tharë në diell. Mund të përdorni dhe një furçë për këtë dhe…voilà, këpucët tuaja janë më të bardha se kurrë!