Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Këshilla e Australisë për Europën: Bllokoni varkat me emigrantë

NULL NULL
04.09.2015 11:37

Kryeministri i Australise, Tony Abbott e shikon krizën e refugjatëve në Europe si provë të nevojës për politika më të ashpra azili. Ai këshillon BE-në të ndjekë rrugën e Australisë, e që deri më tani ka dhënë efekt.

Sipas Abbot, e vetmja mënyrë për të mos patur më vdekje në det është të ndalohen anijet me klandestinë pa u afruar në breg. Kush tenton të zbarkojë në tokën australiane, bllokohet që pa mberritur aty dhe dërgohet larg brigjeve, në qendra pritjeje nga ku sistemohet gjetkë.

“New York Times” e përshkroi si “brutale” një praktikë të tillë. Në një editorial të saj, gazeta prestigjoze e cilëson politikën e egër, por efikase si çnjerëzore, të mbushur me dyshime legale dhe çuditërisht kundërthënëse me traditën e hershme të vendit për të mirëpritur ata që i largohen persekutimit dhe luftës.

Artikulli shkon më tej duke thënë se për liderët europianë do të ishte mungesë përgjegjshmërie të merrnin në konsideratë adoptimin e politikave të ngjashme. Australia nuk iu përgjigj editorialit, por Abbot foli për pamjet e trevjeçarit sirian Alan Kurdi, të mbytur bashkë me të ëmën dhe vëllanë 5 vjeç ndërsa përpiqeshin të mbërritur në Greqi.

“Ishte tepër e trishtë – , u shpreh ai -,  por nëse doni t`i ndaloni këto vdekje, nëse doni të ndaloni mbytjet, atëherë duhet të ndaloni anijet. Ne në Australi nuk kemi gjëra të tilla sepse i kemi ndaluar me kohë anijet e paligjshme”.

Të enjten, Abbot zemëroi dhe grupet hebreje në Australi me pohimet se i ashtuquajturi “Shtet Islamik”, nga i cili largohen pjesa më e madhe e emigrantëve që marrin sot rrugën e Europës, është më i keq se nazistët. “Nazistët bënë gjëra të tmerrshme, por kishin mjaftueshëm mend në kokë sa t’i mbanin të fshehura”, tha kryeministër për Radio Sydney 2GB.

“Ndërsa militantët e ISIS-it – , shtoi ai – , e trumpetojne me të madhe ligësinë e tyre dhe kjo është e çuditshme”.

Këshilli Ekzekutivi i hebrenjve australianë reagoi menjëherë duke i quajtur këto komente “të nxituara e të pagjykuara mirë”. Organizmi këmbëngul se ka një dallim thelbësor mes akteve të organizuara të terrorizmit dhe një genocidi të zbatuar nga një shtet në mënyrë sistematike si politikë në vetvete.

Abbot u kundërpërgjigj dhe ai duke u shprehur se i qëndron pohimeve të bëra më parë, por shtoi se nuk është në “garën e kategorizimit të së keqes”, transmeton Top Channel.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.