18:57, 12 Korrik 2018

Ambasadorja e Kroacisë në Kosovë, Marija Kapitanoviq, ka komentuar dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, duke e quajtur si një hap të vështirë për të dyja palët.

“Do të thoja që kur ndërmerrni një dialog kaq të vështirë, duhet të jeni të gatshëm dhe ta dini që pozitat janë plotësisht të kundërta”.

“Kjo është arsyeja pse keni negociata. Në një mënyrë, nuk mund të pritni diçka tjetër sepse po të ishin pozitat e ngjashme nuk do të kishte nevojë për dialog dhe kjo është çështje e realizmit politik”.

Kapitanoviq në një intervistë ekskluzive në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se ajo çka do të jetë “finalja” e këtij dialogu do të varet nga Kosova dhe Serbia.

“Palët janë pajtuar që të përgatiten për fazën e re të dialogut. BE po i lehtëson bisedimet dhe ne mbështesim të gjitha përpjekjet e BE-së në këtë fazë”.

“Natyrisht që rezultati final varet nga të dyja palët në fund të fundit – është shumë normale që të dyja palët të jenë ato që në një mënyrë do të përcaktojnë ku, si dhe çka do të jetë përmbajtja e çfarëdo marrëveshjeje të fundit, ta themi ashtu, marrëveshje të fundit”.

Por ambasadorja kroate ka thënë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është opsion i vetëm dhe nuk ka asnjë alternativë tjetër kur flitet për marrëdhëniet Kosovë-Serbi.

“Diçka është e sigurt – dialogu duhet të vazhdojë, nuk ka opsion tjetër përpos dialogut. Në këtë fazë është e qartë se ka nevojë që të gjendet zgjidhja përfundimtare dhe këto ditë duket se ka ardhur koha që t’i qasemi kësaj por si do të jetë ritmi dhe dinamika varet nga të dyja palët”.

“Është shumë e rëndësishme që të dy palët të kenë strategji të qartë”.

Ambasadorja Kapitanoviq është treguar shumë e prerë kur ka folur për idenë e përfolur (jozyrtare) të ndryshimit të kufinjve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Diçka që mund t’iu them meqenëse vij nga një vend që ka kaluar përmes kohërave shumë të pakëndshme në të kaluarën, çdo ide apo hapja dhe lejimi i çfarëdo ideje për ndonjë ndryshim territorial apo çka do tjetër mund të jetë një precedent i pakëndshëm”.

“Kemi pasë një të kaluar shumë të vështirë dhe kjo mund të jetë një precedent i rrezikshëm. Qëndrimi ynë zyrtar është që kjo nuk duhet të merret parasysh”.

“Marrëveshja përfundimtare varet nga të dyja vendet dhe mbetet të shihet se cilat do të ishin elementet e kësaj marrëveshje të fundit sepse janë disa elemente se çka nënkupton zgjidhja përfundimtare. Ta shohim se çka është e mundur për t’u arritur por natyrisht ka nevojë për t’u biseduar”.

Ajo ka folur edhe për liberalizimin e vizave.

“Procesi i vlerësimit të përmbushjes së kritereve të mbetura po vazhdon. Ratifikimi i marrëveshjes për shënjimin e kufirit me Malin e Zi ka qenë një ndër çështjet që ka dëshmuar se është e mundshme që të arrihet konsensusi”.

“Ndoshta ka marrë tepër kohë por megjithatë na tregoi se në fund arritët të kaloni atë”.

“Procesi i vlerësimit po vazhdon për kriterin e fundit. Kur ky vlerësim të përfundojë, Komisioni duhet t’ua prezantojë anëtarëve të BE-së për diskutim dhe vendim”.

“Do të ishte më mirë nëse procesi i përmbushjes së ketyre dy kritereve të mbetura të mos kishte marrë kaq shumë kohë”.

Kapitanoviq ka thënë se kosovarët duhet ta marrin liberalizimin e vizave, veçanërisht, sipas saj, të rinjtë kosovarë kanë nevojë për mundësinë e lëvizjes së lirë.

“Të rinjtë kosovarë kanë nevojë të udhëtojnë, të dalin jashtë vendit dhe të njoftohen me vendet tjera dhe jo vetëm për të qëndruar jashtë vendit si turistë por kjo ua zgjeron horizontin dhe ua mundëson që t’i krahasojnë praktikat më të mira në vendet e tjera”.

“Kjo është një mënyrë se si shoqëria mund të ndryshojë për të mirë. Të rinjtë mund të marrin përvojat pozitive dhe t’i zbatojnë në shtëpi”.

“Një krahasim pozitiv i shoqërive të ndryshme është gjithmonë i dobishëm”.

Interesante