18:00, 8 Tetor 2018

Gjithçka ka filluar kur Muzeu d’Orsay ka ftuar piktorin amerikan Julian Schnabel për të përzgjedhur piktura nga koleksioni i shekullit 19-të, në mënyrë që t’i ekspozojë së bashku me veprat e tij të artit.

Fillimisht, zyrtarët e muzeut e kanë kundërshtuar artistin kur ai ka përzgjedhur disa vepra të artistëve të mëdhenj, duke i thënë atij se “nuk mund ta keni këtë apo atë pikturë” .

“Nëse nuk mund t’i zgjedh pikturat që dua, nuk kam arsye të them se unë i kam zgjedhur pikturat”, ka thënë Schnabel, gjatë një interviste.

Piktori 66 vjeçar u kishte vënë syrin veprave të Vincent van Gogh, Claude Monet, Henri de Toulouse-Lautrec dhe Paul Cézanne. Por, muzeu nuk kishte lejuar që këto vepra të lëvizeshin nga vendet e tyre të zakonshme.

Mirëpo, e tëra ndryshoi gjatë vitit të kaluar, kur pozita e drejtoreshës së Muzeut d’Orsay iu besua Laurence des Cars, shkruan New York Times, transmeton Klan Kosova.

Ajo ia ka plotësuar ëndrrën artistit amerikan duke i lejuar atij që ta zgjedh pothuajse cilëndo pikturë që dëshironte për t’i ekspozuar pikturat e tij përkrah tyre.

Ekspozita e titulluar “Orsay Through the Eyes of Julian Schnabel” pritet të hapet së shpejti  në Muzeun d’Orsay dhe të qëndrojë e hapur deri më 13 janar të vitit 2019.

Aty do të ekspozohen 13 piktura të artistëve të mëdhenj së bashku me 11 vepra të Schnabel.

 

 

klankosova.tv