Ismail Kadare, i pesti ndër pretendentët për çmimin Nobel NULL NULL 08.09.2016 22:20 08.09.2016 22:20 Shkrimtari shqiptar, Ismail Kadare, edhe këtë vit renditet ndër pretendentët e çmimit për Nobel në Letërsi. Në faqen britanike “Nicer Odds” ai renditet i pesti mes emrave kryesorë, që pretendojnë këtë çmim në letërsi. Vendin e parë e kryeson shkrimtari japonez Haruki Murakami, i konsideruar prej vitesh si një nga kandidatët kryesorë për Nobel në Letërsi. Novelisti amerikan Philip Roth renditet i dyti. Ndërsa, i treti në radhë është shkrimtari afrikan Ngugi wa Thiong’o, shkrimtarja amerikane Joyce Carol Oates renditet e katërta, për t’u pasuar më tej nga shkrimtari shqiptar, Ismail Kadare, veprat e të cilit janë botuar në 45 gjuhë në mbarë botën, duke u konsideruar kështu, shkrimtari më i rëndësishëm i letërsisë shqipe. Nëpërmjet përkthimeve të veprave të tij, shumë të huaj kanë njohur për herë të parë Shqipërinë. Profesor Bashkim Kuçuku, në 80vjetorin e shkrimtarit u shpreh për të se: Ismail Kadare prej vitesh ka mbërritur te çmimi Nobel. “Emri i tij disa herë ka qenë deri në përzgjedhjen përfundimtare, shkruan Gazeta Shekulli. Kritika franceze, gjermane, amerikane etj., e kanë quajtur të meritueshëm këtë çmim për të, madje disa e kanë kritikuar jurinë e Stokholmit për paragjykime, vonesa dhe mosnjohje të letërsisë”. Sipas profesor Kuçukut, nuk është i vetmi që votohet për vite me radhë dhe nuk kurorëzohet. “Gynter Grasit, njëri nga shkrimtarët e përbotshëm më të rëndësishëm, ia dhanë atë kurorë më 1999n, pasi kandidoi njëzet e pesë vjet! Radha njëmendësisht nuk është e gjatë, sepse shkrimtarët e shquar të kësaj shkallareje, që jetojnë, janë të paktë. Me sa duket, pritja zgjatet nga baraspeshimet dhe çbaraspeshimet, matanë tryezave të votimit dhe poshtë peshores së jurisë”. Ndërsa Akademia e Shkencave për vitin 2016 në i dërgoi një letër Komitetit të çmimeve Nobel, duke propozuar shkrimtarin Ismail Kadare për çmimin e madh të letërsisë. Floresha Dado kryetarja e seksionit të shkencave shoqërore dhe albanologjike në Akademinë e Shkencave, është shprehur se vepra e Kadaresë është bërë pjesë e botës shpirtërore të popujve të ndryshëm, pas përkthimit të saj në 45 gjuhë të botës. Ndër veprat kryesore të Ismail Kadaresë në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar janë: “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kështjella”, “Kronikë në gur”, “Dimri i madh”, “Ura me tri harqe”, “Prilli i thyer”, “Dosja H, Piramida”, “Pallati i ëndrrave” etj. Anëtarët e Akademisë Suedeze do të mblidhen gjatë ditëve në vijim, për të vendosur se cili shkrimtar do të jetë fitues, në tetor, i çmimit Nobel për Letërsi 2016. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
Kulturë Rrëfimi i një nëne për të birin përmes librit "Dëshmia e një nëne" nga Shpresa Hoxha (VIDEO) 28/03/2024
Kino dhe Teatër Nga sot në Teatrin Kombëtar fillon shfaqja "Kopshti i Hijeve", tregohet historia e familjes Bogujevci 28/03/2024