I revoltuari NULL NULL 30.11.2015 17:29 30.11.2015 17:29 Një pjesë e mirë e veprës së Migjenit përshkohet nga ndjenja e revoltës dhe nga thirrja për revoltë. Albert Kamy në librin Njeriu i revoltuar shkruan se revolta është thelbi i njerëzores, ngaqë njeriu është e vetmja krijesë që nuk pranon të jetë ajo që është. Më poshtë tentojmë një lexim paralel të shkrimeve të Migjenit dhe Kamysë që sillen rreth motivit të revoltës. Vetëdija “Me revoltën, lind vetëdija”, shkruan Kamyja. Mospranimi i vuajtjes në heshtje, si një fat tashmë i shkruar, pashmangshmërisht lidhet me kuptimin që ka njeriu se diçka a shumëçka nuk shkon në rregull, se ekziston padrejtësia dhe se vjen një pikë kur asaj i duhet thënë jo. Edhe spektakli i shtypjes së tjetrit është revoltues për atë që ka sy ta shquajë dhe ta vërë veten në këmbën e tjetrit: “Përditë shoh qartë e ma qartë e vuej thellë e ma thellë”. Migjeni revoltohet para pamjeve të mjerimit: fytyra të zbehta, zhele, fëmijë të sëmurë, trupa të sakatuar apo të drobitur nga uria dhe puna e stërmundimshme, fasada buzëkuqesh e lustrash që reklamojnë mishin në shitje, gotat e pijes ku mbytet dëshpërimi. Keqardhja dhe mëshira janë strategji shmangieje, sepse ato e natyralizojnë mjerimin dhe e qetësojnë ndërgjegjen. Ndërkaq, ndjenja e revoltës buron prej vetëdijesimit se mjerimi është një krim dhe i tillë kërkon drejtësi. Revolta të ndihmon që të ruash njerëzoren brenda teje, e cila shpërfaqet pikërisht te ndjenjat “barbare” të zemëratës e dëshirës për hakmarrje: “O, si nuk kam një grusht të fuqishëm!/ Malit, që hesht, mu në zemër me ia njesh!/ Ta shof si dridhet nga grusht’ i paligjshëm…/ E unë të kënaqem, të kënaqem tu’ u qesh”. Mali, simboli i qëndresës dhe revoltave shekullore të shqiptarëve, te Migjeni shndërrohet në një simbol të konservatizmit dhe shurdhërisë së pushtetit/shtetit ndaj nevojave jetike të malësorit, ndërkohë që ky vetë, në realitet i robëruar dhe i nëpërkëmbur, në propagandë dhe arte vazhdon të shërbejë si tipi ideal i shqiptarit të lirë e kryengritës. Revolta ia qartëson njeriut shikimin ndaj moralit e ligjshmërisë: te tregimi “Në kishë”, lypësi e braktis kishën atëherë ku prifti fillon të predikojë kundër vjedhjes. Alternativa ndaj revoltës është zvetënimi shpirtëror përballë shtypjes e padrejtësisë, është hipokrizia “e qytetëruar” për të mos u dalluar nga të tjerët që konformohen. Ky tjetërsim i ndodh Nushit, personazhit qendror të novelës “Studenti në shtëpi”. Ai është shkolluar në një qytet europian dhe i urren zakonet patriarkale të familjes dhe vendit të origjinës. Edhe pse e çmonte jetesën në Europë pikërisht për lirinë dhe çiltërsinë e zgjedhjeve individuale, Nushi kur kthehet në shtëpi nuk gjen forcën e brendshme për t’u rebeluar ndaj babait, duke përfunduar edhe vetë si një hipokrit, një kopje e të atit, që mbulon me një gëzim mashtrues imoralitetin e familjes. Shkrimin e plotë mund ta lexoni më poshtë: http://www.gazeta-shqip.com/lajme/2015/11/30/i-revoltuari/ *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
Kino dhe Teatër Nga sot në Teatrin Kombëtar fillon shfaqja "Kopshti i Hijeve", tregohet historia e familjes Bogujevci 5 orë më parë