21:39, 13 Shtator 2018

Ndihmës Sekretari Amerikan për Evropë dhe Euroazi, Ves Miçel, po qëndron në një vizitë zyrtare në Shkup. Ai ka zhvilluar disa takime me krerët më të lartë të shtetit, dhe kreun opozitar Hristijan Mickoski.

Diplomati amerikan inkurajoi qytetarët që ta shfrytëzojnë këtë mundësi historike dhe duke e shfrytëzuar të drejtën e tyre demokratike të votës, ta vulosin të ardhmen e tyre.

“Mesazhi im për të gjithë qytetarët e Maqedonisë është që të dilni në referendum, sepse ky është vendim që vetëm qytetarët e Maqedonisë mund ta marrin. Maqedonia është në një rrugë të drejtë për shumë kohë të gjatë dhe ne apelojmë që të gjithë qytetarët të ushtrojnë të drejtën e tyre, poashtu edhe përgjegjësinë që në ditën e refendumit të dalin të votojnë. Mendoj se kjo është një mundësi historike dhe një rrugë drejt NATOs dhe BE-së”

Kryeministri Zoran Zaev u shpreh i bindur se rezultati do të jetë pozitiv. Ai apeloj të gjitha partive politike, në veçanti VMRO DPMNE-së opozitare që të mbështesë referendumin, duke theksuar se në këtë moment historik për vendin është e rëndësishme që të gjithë të jenë së bashku, shkruan Alsat-M, përcjellë Klan Kosova

“Referendumi është mundësi për realizimin e qëllimeve tona strategjike. Këto janë qëllime të të gjitha gjeneratave tona të mëparshme, të sjellura si vendime tona sovrane me konsensus të përgjithshëm politik dhe ndër-etnik. Jam i bindur, ndërsa këtë e konfirmojnë edhe anketat se një përqindje e madhe e qytetarëve tanë më 30 shtator do të vendosin se e ardhmja jonë është të bëhemi vend anëtar në aleancën më të fuqishme të sigurisë, NATO dhe bashkësinë më të fuqishme ekonomike, BE.

Ndhimës sekretari amerikan pati agjendë të ngjeshur të takimeve. Ai u interesua edhe për marrëdhëniet brenda koalicionit, dhe mes subjekteve politike në Maqedoni.