18:58, 9 Nëntor 2018

Politikani serb nga Kosova, Slavisa Petkoviq, ka deklaruar se kryeministri Ramush Haradinaj i ka këshilltarët e dobët të çështjes ekonomike, sepse sipas tij, sanksionet e vendosura ndaj Serbisë nuk e dëmtojnë Serbinë por Kosovën.

“Shihet që kryeministri i ka këshilltarët e dobët te çështjes ekonomike. Kështu nuk do të dëmtohet ekonomia serbe. Malli më i lirë dhe kualitativ është nga Serbia. 70 milionë euro importon vetëm ‘Bambi’”.

“Kosova ia ka vendosur sanksione drejt vetes, sepse këto nuk i paguajnë serbet por ata që i porosisin, kompanitë si p.sh. VIVA FRESH, ALBI, etj, pra ne që jetojmë në Kosovë do t’i paguajmë këto sanksione dhe serbet nuk i ka dëmtuar aspak”, deklaroi ai në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, duke iu kundërpërgjigjur në debat deputetit të Nismas, Haxhi Shala.

Ky i fundit e arsyetoi këtë veprim të qeverisë, duke thënë se në këtë mënyrë Serbia duhet të fillojë të reflektojë rreth veprimeve të saj negative karshi vendit tonë:

“Edhe Serbia duhet të mendojë më seriozisht për Kosovën, sepse mbi 400 milionë euro shkojnë nga Kosova te biznesmenët e Serbisë. Ata të mos bëjnë çdo lloj propagande te mekanizmat ndërkombëtar për t’i larguar njohjet dhe tash ne me diçka duhet të merremi”.

“Nuk i kemi sanksionuar qytetarët e Kosovës, por i kemi dhënë hapësirë shteteve tjera dhe qytetarëve që ta hulumtojnë një treg tjetër”.

“Pse është më afër Serbia, është, por a është kualitet si tek të tjerët? Ndoshta tash mësohemi me kualitetin e BE-së. Kështu është dëmtuar Serbia”, përfundoi deputeti Shala.