16:25, 12 Tetor 2018

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka kritikuar ish-kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa për reagimin e tij gjatë ditës.

Hoxhaj ka shkruar se paravarsisht që gëzon respekt për Mustafen ai jo çdo herë ka bërë zgjedhje të mira duke aluduar në vendimet që Mustafa i kishte marrë sa ishte shef i Qeverisë.

“Kam pasur dhe ende kam respekt për Isa Mustafën, si profesor dhe politikan. Megjithëse jo çdo herë në politikë ai ka bërë lëvizjet dhe zgjedhjet më të mira. Në një reagim të tij sot për zhvillimet aspak të këndshme lidhur me pamundësinë e votimin të demarkacionit nga qeveria e udhëhequr prej tij duke sulmuar PDK-në, do të ndalem në dy momente”, ka shkruar Hoxhaj në Facebook.

“E para, vendimmarrja e tij si kryeministër asokohe u bllokua nga një pjesë e partisë së tij, të cilët jo vetëm që i dolën kundër demarkacionit por as nuk e votuan atë për kryeministër. E dyta, Isa Mustafa po ankohet në një pjesë të qeverisë aktuale që sipas tij udhëhoqën protesta të dhunshme kundër demarkacionit para dy vitesh”.

Ish-kryediplomati i Kosovës pati kritika për të parin e LDK-së edhe kur ai pranoi në takim sipas Hoxhajt, ata që e gjuajtën me koktej molotovi.

“Por ai i mbetet borxh elektoratit të LDK-së t’ia shpjegoj pse i pranon në shtëpi ata që e gjuajtën me koktej molotovi, vezë, e gaz lotsjellës në çdo ditë të punës së tij”.

Pavarësisht kësaj, ai e përkrah kreun e LDK-së kur ky i fundit thotë që duhet bërë bashkë për procesin e dialogut dhe ka ftuar partinë e Mustafës ti bashkohet asaj të Kadri Veselit për të nxjerrë më të mirën e mundshme.

“Në fund, pajtohem me kryetarin e LDK-së që duhet gjetur një nyje besimi për tu bërë bashkë në procesin e dialogut me Serbinë. Për PDK-në – është Kuvendi i Kosovës ku edhe LDK-ja duhet të bashkohet në takimet dhe diskutimet e ardhshme për të nxjerrë më të mirën e mundshme”.

Isa Mustafa: LDK nuk bashkëpunon me këtë koalicion për dialogun

klankosova.tv