14:15, 21 Prill 2017

Ergys Gjioveshaj, i cili u ekzekutua mbrëmjen e së enjtes në një lokal nate në zonën e Lungomares, nuk është një emër i panjohur për policinë e Vlorës.

33-vjeçari rezulton një person me precedentë penalë, i dënuar për vrasje me paramendim të kryer në bashkëpunim në vitin 2000, ngjarje për të cilën ishte dënuar me 12 vjet burgim.

Gjioveshaj do të arrestohej nga Interpol Viena për llogari të drejtësisë shqiptare në qershor të 2011-ës në Austri dhe mësohet se ai vetëm pak muaj  kishte dalë nga burgu.

Për këtë arsye hetimet për këtë ngjarje të rëndë janë fokusuar në pistën e hakmarrjes. Në këtë ngjarje mbetën të plagosur edhe një kamarier dhe një muzikant i lokalit, si dhe një shtetase 26-vjeçare, e cila dyshohet të ketë qenë në tavolinë me viktimën, së bashku edhe me 2 persona të tjerë.

Për zbardhjen e ngjarjes policia ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë, ndërsa atentati dyshohet të jetë kryer nga 2 persona të pamaskuar, të cilët pasi kanë hyrë në lokal kanë qëlluar në drejtim të Gjioveshajt dhe më pas janë larguar me shpejtësi.

Policia ka shoqeruar disa persona, dëshmitarë okularë dhe disa të dyshuar. Krahas pistës së hakmarrjes, Policia e Vlorës po heton edhe në lidhje me disa aktivitete të Gjioveshajt në kohën e qëndrimit jashtë Shqipërisë./TopChannel

Interesante