13:22, 14 Qershor 2018

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur sot në takim pune dhe falënderimi drejtorin e Misionit të USAID-it në Kosovë, James Hope.

Ata kanë bashkëbiseduar për punë dhe projekte të përbashkëta në fusha të ndryshme gjatë të ardhmes, në funksion të një jete më të mirë për qytetarët e Gjilanit, njofton Klan Kosova.

Pas takimit në zyre, kryetari Haziri dhe drejtori Hope, kanë vizituar çerdhen në lagjen ”Dardania”, ku kanë marrë pjesë në programin e fëmijëve të këtij institucioni, që ishte shenjë e falënderimit për këtë investim të madh në shërbim të një komuniteti të gjërë.

Kryetari Haziri ka thënë se edhe para 19 vjetësh në Gjilan kanë hyrë Ushtarët e Marinës Amerikane, të cilët përfundimisht i kanë dhënë dritën e vërtetë të lirisë së Kosovës, sikur që tani po japin jetë dhe po investohet gjithandej nëpër programe të ndryshme nga populli amerikan përmes USAID-it.

Ai tha se drejtori Hope është një qytetar i nderit të Gjilanit, të cilit i ka dhënë në shenjë mirënjohjeje punim të veçantë falënderimi duke potencuar se është partner dhe mik i yni, që në emër të USAID-it ka bërë programe të ndryshme ”Goverment to Government”, njofton Klan Kosova.

Nga ana e tij James Hope, në fjalën e tij ka potencuar angazhimin e Shteteve të Bashkuara në Kosovë në fusha të ndryshme përmes misionit të USAID-it, që nga investimi në infrastrukturë të ndryshme sikur në Gjilan, pastaj në institucione arsimore, në teknologji, në ngritje të kapaciteteve dhe asistim në fusha të ndryshme si tek Prokurimi Publik, auditimi, financat publike, arsim dhe shumë programe të tjera.

Gjithashtu ai ka thënë se krijimi i lidhjeve të fuqishme përmes programit ”Government to Government” është dëshmuar se mund të punojmë së bashku edhe në fusha të tjera gjatë të ardhmes duke besuar financat për njëri-tjetrin, njofton Klan Kosova.