11:34, 7 Dhjetor 2017

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu ka dhënë dëshminë e tij në seancën gjyqësorë ndaj katër deputetëve të Vetëvendosjes që akuzohen për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

Ai ka thënë fillimisht se e ka parë deputetin Albin Kurti që e ka hedhur gazin lotsjellës pranë foltores së Kuvendit.

Më pas ka treguar edhe se ma aq sa mban mend, edhe deputetët Donika Kadaj-Bujupi dhe Faton Topalli kanë bërë një veprim të tillë, njofton Klan Kosova.

“Hudhja e gazit me sa më kujtohet ka ndodhur edhe nga Donika Kadaj- Bujupi dhe Faton Topalli, ka ndodhur edhe nga deputetë të tjerë të cilët sot nuk janë të akuzuar”.

Haxhiu ka thënë se ne secilën seancë të Kuvendit të Kosovës që është hedhur gaz lotsjellës është ndërprerë puna e Kuvendit.

Sipas tij, nga hudhja e këtij gazi brenda sallës së Kuvendit kanë pasur vështirësi shëndetësore dy deputetet e PDK-së, Flora Brovina dhe Blerta Deliu-Kodra.

“Kur kam dal jashtë për tu ajrosur, kam parë ambulancën që ka ardhur t’i marrë dy deputetet që kanë pasur vështirësi më të mëdha shëndetësore, Flora Brovinën dhe Blerta Deliu-Kodrën”.

“Kam vazhduar me makinën time në Qendrën Emergjente, për të qenë në dispozicion për ndihmë të dy deputeteve”.

Në seancën paraprake, kanë dëshmuar edhe dy deputetet e lartë përmendura, në cilësinë e dëshmitareve ashtu si edhe të palës të dëmtuar.

Interesante