12:58, 17 Korrik 2017

Koalicioni PAN dhe i nominuari për kryeministër, Ramush Haradinaj janë në fazën e konsultimeve me partnerët e mundshëm jo për krijimin e numrave por për krijimin e një baze më të gjëre politike qeverisëse.

Kështu ka deklaruar zëdhënësi i AAK-së, Muharrem Nitaj, i cili ka thënë  PAN dhe kandidati për kryeministër nga ky koalicion janë brenda afatit të tyre kushtetues e ligjor për krijimin e qeverisë së Kosovës, njofton Klan Kosova.

Sipas tij, pritet që Presidenti i vendit në kuadër të kompetencave që ka, brenda këtij afati ta thërrasë mbledhjen konstituive të Kuvendit dhe menjëherë pas kësaj të procedohet edhe me votimin e qeverisë.

“Prandaj fushata e disa partive dhe individëve, me gjoja shtyerjen e seancës konstituive të Kuvendit, është e sajuar dhe që për qëllim ka ta vë në lajthitje e ta mashtrojë opinionin publik. Njoftimet e mediave që thirren në burime të pakonfirmuara duke përmendur emra të përveçëm të deputetëve që potencialisht do ta votonin Qeverinë Haradinaj, janë spekulime mediatike të sponsorizuara nga kundërshtarët politik të PAN-it, me qëllim stigmatizimin e deputetëve të caktuar dhe krijimin një një atmosfere konfliktuoze politike“,  ka thënë Nitaj.

Sipas Nitaj, PAN dhe i nominuari për Kryeministër Ramush Haradinaj, për çdo veprim në raport me krijimin e institucioneve të reja, do ta njoftojë me kohë opinionin publik, pa pasur nevojë që të spekulohet për këtë proces.

Interesante