Haradinaj: Asociacioni vetëm me ligje të Kosovës; preferoj përfaqësim të plotë të politikës kosovare në dialog (VIDEO) NULL NULL 17.05.2018 20:13 17.05.2018 20:13 Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, në një intervistë ekskluzive nga Sofja me Kushtrim Sadikun në Info Magazine të Klan Kosovës, e ka shpjeguar kontekstin e pajtueshmërisë për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. “Edhe marrëveshja e arritur në Bruksel thotë se Asociacioni duhet të bëhet në bazë të ligjeve të Kosovës, brenda Kushtetutës së vendit. Për këtë, aprovimin duhet ta japë Gjykata Kushtetuese”. “Sa i përket Kosovës, Kosova e respekton Marrëveshjen e Brukselit e cila parasheh që Asociacioni të jetë në bazë të ligjeve të Kosovës”. “Por, nuk është produkti final marrëveshja – produkti final është statuti i Asociacionit që buron nga kjo marrëveshje që ka paraparë se Asociacioni duhet të jetë në kuadër të ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës”. I pari i ekzekutivit kosovar ka thënë se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, bazuar në Kushtetutën e Kosovës, nuk mund të ketë pushtet ekzekutiv. “Kushtetuta e Kosovës nuk parasheh pushtet të tretë – ose lloj tjetër – të pushtetit; ka vetëm komunën dhe pushtetin qendror, Parlamentin, Qeverinë”. “Asociacioni nuk mund të ketë pushtet të ekzekutivit ose të legjislativit dhe në këtë rast nuk mund t’i dyfishojë pushtetet e komunave, por mund t’i koordinojë”. “Tek ne, Gjykata Kushtetuese i ka rrëzuar presidentët, ka fuqi të jashtëzakonshme në vend dhe kjo është shenjë e mirë e demokracisë. Kjo Gjykatë duhet të vërtetojë se a është statuti i Asociacionit në kuadër të Kushtetutës të vendit”. “As unë as askush nuk e ka të drejtën ta zbatojë një Asociacion që nuk është në kuadër të Kushtetutës”. “Është dakorduar në Bruksel, është në kuadër të marrëveshjes që ne po e respektojmë. Kemi pasë udhëheqës të BE-së në Kosovë. Edhe Federica Mogherini tha se Asociacioni do të bëhet në përputhje me ligjet e Kosovës dhe ligjet nuk parashohin kompetenca ekzekutive ose legjislative për Asociacionin”. Haradinaj ka deklaruar se përfundimi i dialogut me Serbinë është në interes të të gjithëve. Sipas tij, është e rëndësishme që në këtë dialog të vendosen principe të qarta dhe që Kosova të përfaqësohet nga të gjithë akterët politikë, ku presidenti i vendit i prin delegacionit. “Pse mos ta ftojmë edhe LDK-në, Vetëvendosjen, PSD-në krahas partive në koalicion pra të jetë një delegacion i Kosovës me përfaqësim të plotë kur vendoset për tema përfundimtare për vendin?”. ”Mendoj që është mirë që Kosova të jetë e përfaqësuar në total, përfshirë edhe komunitetet. Duhet të jemi të interesuar ta thellojmë dialogun e brendshëm”. Kryeministri kosovar ka folur edhe për idenë e shkëmbimit të territoreve, që ishte përmendur së fundmi. “Nuk mund të ofrojmë zgjidhje që dalin nga Kushtetuta jonë që është e avancuar, Kushtetuta ka ofruar këto zgjidhje që po flasim sot, të drejtat e serbëve”. “Nuk ke mundësi të ndërhysh në Kushtetutën e vendit, sepse e prish konstruktin e shtetit. Nuk do të ndodhin ato zgjidhje që, në fakt, nuk janë zgjidhje – ato janë rrezik, zhvillime të gabuara edhe veç të flasim për to”. Ai i ka përmendur edhe të drejtat e shqiptarëve që nuk jetojnë në Kosovë. “Kosova duhet të konsolidohet dhe t’i fitojë të drejtat e plota si anëtare e OKB-së, NATO-s, pastaj të interesohet për të drejtat e shqiptarëve kudo që janë”. Në këtë intervistë, kryeministri nuk e la pa e përmendur edhe arrestimin e zyrtarit serb Marko Gjuriq. “Ishte për keqardhje, por Kosova ishte në situatë të pashmangshme veprimi. Edhe Ministria e Jashtme edhe ajo e Brendshme respektuan ligjin, por ajo që është me rëndësi është krijimi i besimit të ndërsjellë”. “Nëse nisemi vetëm nga përvojat e këqija, nuk do të duhej të ulemi dhe të bisedojmë me Serbinë sepse e dimë se çfarë kemi kaluar. Por, nëse nisemi nga interesi i një të ardhmeje ndryshe, atëherë është me interes që të ulemi”. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
Kosova Dy të vrarë e 6 të plagosur në kryeqytet më 2024 - kritikë për masat ndëshkuese (VIDEO) 2 minuta më parë
Kosova “Jam familjare e Kurteshëve, por s’më punësuan ata, u punësova me meritë” (VIDEO) 8 minuta më parë