Xhavit Haliti
13:03, 21 Prill 2017

Nënkryetar i Parlamentit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, është dënuar sot me 200 euro, për mospjesëmarrje në seancën kundër deputetëve të Vetëvendosjes, në cilësinë e dëshmitarit, për kohën kur gjuhej gaz lotsjellës, por Haliti ka thënë se ai kurrë s’është njoftuar se është dëshmitar për këtë rast, njofton Klan Kosova.

“Sot, mora lajmin nëpërmjet mediave se qenkam dëshmitar në procesin gjyqësor që po zhvillohet ndaj Albin Kurtit. Gjithashtu edhe për dënimin e shqiptuar ndaj meje prej 200 eurosh për mospjesëmarrje për të dëshmuar për këtë rast në gjykatë. Hajde gjykatës Kalludra hajde”, ka shkruar Haliti në llogarinë e tij në Facebook.

“Po si të vij dëshmitar pa u njoftuar asnjëherë që jam dëshmitar, pa më dërguar ftesë asnjëherë, apo u dashka që për kapriçot tuaja të shqiptoni dënime komprometuese duke keqpërdorur ligjin?Për hir të opinionit dhe jo për ndonjë shqetësim tjetër dua të njoftoj se: nga gjykata s’kam marrë asnjë herë njoftim as thirrje për të qenë dëshmitar. Prandaj duke marrë këtë për bazë, publikisht kërkoj nga gjyqtari Kalludra që të respektoj rregullat për ftesën e dëshmitarëve dhe në përputhje me këtë të zbatoj ligjin”.

Haliti ka kërkuar që për komprometimin e emrit të tij në publik t’i kërkohet falje, po ashtu publikisht.

klankosova.tv

Interesante