Haliti: Me Berishën prezent do të fitonim në Këshillin e Evropës NULL NULL 30.01.2016 10:31 30.01.2016 10:31 Kryetari i delegacionit të Kosovës në Këshillin e Europës, Xhavit Haliti, ka thënë në një intervistë për Shqiptarja.com se, delegacioni i shtetit shqiptar ka qenë fort i angazhuar në lobim për votimet e së enjtes kur u miratua Rezoluta e Asamblesë së Këshillit të Evropës për Kosovën, bashkë me katër amandmente të propozuara nga Serbia. Mirëpo sipas Halitit nëse edhe Sali Berisha do të kishte qenë në delegacion, rezoluta do të ishte miratuar sipas interesave të palës shqiptare. Megjithatë votimin e rezolutës së Asamblesë parlamentare të Këshillit të Evropës që i shkon për favor Serbisë, Haliti nuk e ka konsideruar si një humbje diplomatike. “Nuk e besoj që është një humbje”, ka thënë Haliti. “Ne kemi një fitore sepse Kosovës i jepet mundësia që në mbledhjen e ardhshme të Byrosë të shqyrtohet statusi i Kosovës në Këshillin e Evropës”. Haliti nuk e ka parë votimin si një humbje në mungesë aleatësh të Kosovës, por ai ka thënë se rreshtimet ideologjike të anëtarëve kanë qenë përcaktues. “Nuk do të thosha që ishin aleatët ata që nuk na mbështetën. Problemi është që këtu në KiE, kryesisht vendimet merren sipas grupeve politike, ku grupet e majta marrin qëndrimet e tyre e të djathtat të vetat, pavarësisht se nga çfarë shteti vijnë. Në këtë rast, delegacioni i Kosovës nuk është anëtar me të drejtë vote, por delegacioni i Shqipërisë ka bërë të pa mundurën për lobim, angazhim, përpilim të amendamenteve, në biseda me delegacione të ndryshme”. Megjithatë Haliti tha se “herët e tjera duhet të funksionojmë ne si delegacion i Kosovës më të organizuar dhe të jemi më në kohë të parashohim ngjarjet”. “Dua të përsëris që delegacionet tona nuk kanë qenë dy, por një i vetëm, dhe impenjimi i delegacionit të Shqipërisë ka qenë maksimal”. Me këtë rezolutë të Asamblesë parlamentare të Këshillit të Evropës, Kosovës i kërkohet që të bëjë mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të të gjitha etnive në vend, të merret me të shpërngulurit nga Kosova gjatë kohës së luftës, të zotohet në zbatimin e themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe Asambleja inkurajon misionin e UNMIK-ut në Kosovë që të shtojë kapacitetet për bashkëpunim me Interpol-in dhe Europol-in dhe autoritetet në Prishtinë t’i përdorin mekanizmat që tashmë kanë në dispozicion, njofton Klan Kosova. Rezolutat e Asamblesë parlamentare të Këshillit të Evropës nuk janë rezoluta që detyrojnë Kosovën për zbatim, por janë më shumë tekste këshilluese. Madje Kosova as nuk është anëtare e Këshillit të Evropës dhe rrjedhimisht as nuk ka përfaqësues në Asamblenë parlamentare. Shumicën e pikave që janë kërkuar në këtë rezolutë, siç janë trashëgimia apo kthimi i të larguarve gjatë luftës, qeveritë në Kosovë obligohen t’i kryejnë edhe me Kushtetutën e Kosovë dhe ligjet e vendit. klankosova.tv *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
Kosova Dy të vrarë e 6 të plagosur në kryeqytet më 2024 - kritikë për masat ndëshkuese (VIDEO) 28/03/2024