17:25, 16 Maj 2018

Pa peshq të mëdhenj, mund të ndërpriten negociatat… Ky është paralajmërimi i komisionerit për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, Johannes Hahn.

Në një intervistë për të përditshmen gjermane Stuttgarter-Zeitung, komisioneri Hahn, tha se nëse nuk do të ketë arrestime të atyre që i quan peshq të mëdhenj, BE mund edhe të ndërpresë procesin e negociatave me Shqipërinë.

Sipas komisionerit Johanes Hahn, edhe pse Shqipëria ka bërë progres në reforma, rastet e korrupsionit deri më sot nuk kanë nxjerrë para drejtësisë peshqit e mëdhenj.

“Unë mund ta kuptoj skepticizmin, por gjithashtu nuk them se Shqipëria dhe ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë janë tashmë të gatshme për pranim. Megjithatë, reformat e nevojshme mund të realizohen gjatë procesit të pranimit. Merrni shembullin e korrupsionit.

Nga pikëpamja ligjore, të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor kanë një situatë ligjore që është e krahasueshme me tonat.

Por, në bisedimet e pranimit, i kushtojmë vëmendje faktit se ligjet zbatohen, se rastet e korrupsionit dalin para drejtësisë dhe peshqit e mëdhenj nuk kursehen.

Pa progres në këtë drejtim, ne mund të ndërpresim negociatat. Sidoqoftë, ne mund të kapërcejmë gjendjen akoma të pakënaqshme të sistemeve ligjore në Shqipëri dhe ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë kur të fillojmë bisedimet e pranimit”,- ka deklaruar ai.

Sidoqoftë, Hahn shprehet se deri në qershor, pret nga Këshilli Europian që të japë një vendim pozitiv për negociatat me Shqipërinë dhe ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë.

Intervista e Hahn vjen në prag të takimit të Sofjes, ku krerët e shteteve dhe qeverive të BE do të diskutojnë mbi të ardhmen e vendeve të Ballkanit në BE./TCH/

 

Interesante