23:09, 2 Tetor 2018

Xhiroja e dytë në grupin G në Ligën e Kampionëve nuk ka kaluar pa befasi.

Kampioni aktual, Real Madrid, janë mposhtur minimalisht në Rusi nga CSKA Moska, në një dramë të zhvilluar në minutat e fundit ku edhe nuk shpëtoi pa konflikte, njofton Klan Kosova.

Shumë herët, në minutën e dytë, Nikola Vlasic i CSKA-së e shfrytëzoi gabimin e Toni Kroos që nuk arriti të pasojë si duhet në mbrojtje dhe e dërgoi topin në rrjetë për ta shënuar golin e vetëm në ndeshje.

Spanjollët tentuan shumë herë për të shënuar mirëpo nuk patën sukses, edhe pse bënë gjithsej 18 goditje gjatë ndeshjes.

Në minutat shtesë pati tensione mes lojtarëve me ç’rast u ndëshkua me karton të verdhë Ivan Oblyakov dhe me të kuq portieri Igor Akinfeev.

Në anën tjetër Roma ka kaluar nëpër një formë tejet të mirë këtë ndeshje, duke mposhtur thellë Viktoria Plzen me rezultat 5 me 0.

Për italianët ka shkëlqyer Edin Dzeko i cili realizoi hat-trick, njofton Klan Kosova.

Tash në grupin G kryeson CSKA Moska me 4 pikë duke lënë pas Real Madridin e Romën me nga tri pikë dhe Viktoria Plzen me një pikë.