9:42, 12 Korrik 2018

Për herë të parë në Kosovë grave dhe vajzave në Komunën e Prishtinës nga mosha 21-65 vjeçare u janë dërguar ftesat individuale përmes mesazheve telefonike (SMS) për të bërë PAP testin në njërën nga Qendrat e Mjekësisë Familjare në Prishtinë.

Informimi dhe vetëdijësimi i grave dhe vajzave për të bërë këtë test është  bërë përmes mbështetjes së UNFPA-së, Zyra në Kosovë dhe koordinimit nga ana e Fondacionit “Aksioni për Nëna dhe Fëmijë”.

Ofrimi i Pap testeve pa pagesë si pjesë e programit të Skriningut të Kancerit të Qafës së Mitrës po vazhdon me sukses edhe sivjet  në Komunën e Prishtinës. Programi i skriningut të kancerit të qafës së mitrës, përmes këtij testi u lansua fillimisht në vitin 2016 dhe deri më tani ka mundësuar realizmin e Pap testeve për gratë në grup-moshat e synuara në tre Qendra të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, kurse në vitin 2018, programi u zgjerua edhe në Komunën e Prizrenit,

Ky projekt është mundësuar nga Fondi për Popullësi i Kombeve të Bashkuara- UNFPA si dhe falë bashkëpunimit në mes të Drejtoratit Komunal për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale te Komunës se Prishtinës, Bordit Nacional për Kontrollin e Kancerit, Qendrës Kryesore te Mjekësisë Familjare ne Prishtine, Institutit te Anatomisë Patologjike pranë Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Institutit Kombëtar për Shëndetin Publik në Kosovë dhe Aksionit për Nena dhe Fëmijë.