12:29, 2 Gusht 2018

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka pritur sot në takim Përfaqësuesen e Kosovës së Basketbollit (U18, meshkujt), pas suksesit të arritur në FIBA U18 të Kampionatit Evropian, Divicioni C, që u mbajt në Prishtinë, prej 22 deri më 29 korrik.

Ai  i ka uruar basketbollistët dhe drejtuesit e klubit për suksesin e arritur. Ai vlerësoi se me angazhim dhe vullnet mund të arrihet deri te suksesi siç edhe kanë treguar basketbollistët në rend të parë, por edhe stafi mbështetës i tyre, trajnerët e të gjithë personat tjerë të angazhuar. Gjithashtu, ministri i ka përgëzuar drejtuesit e Federatës së Basketbollit të Kosovës edhe për organizimin e kampionatit në fjalë.

Gashi ka kërkuar nga basketbollistët dhe përfaqësuesit e klubit që në përfaqësimet ndërkombëtare të japin maksimumin dhe të prezantojnë Kosovën sa më me dinjitet. Ai u premtoi mbështetjen e plotë të MKRS-së edhe në të ardhmen.

Ndërkaq, basketbollistët dhe drejtuesit e Federatës e falënderuan Ministrin Gashi për mikpritjen, urimin dhe gatishmërinë e treguar për ta mbështetur basketbollin. Ata premtuan se në garat ndërkombëtare që do të marrin pjesë do të përfaqësojnë në mënyrën sa më të mirë të mundshme, jo vetëm klubin dhe qytetin e tyre por edhe Kosovën, transmeton Klan Kosova.