13:56, 12 Korrik 2018

Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, ka pritur sot në takim në kabinetin e tij, artistin e njohur Sislej Xhafa.

“Jam i nderuar që sot pres në takim artistin e njohur Sislej Xhafa. Duke marrë pjesë në ekspozita dhe bienale të ndryshme ndërkombëtare, Xhafa e vendosi Kosovën në hartën ndërkombëtare të artit bashkëkohorë”, tha Gashi.

Gjatë këtij takimi përveç tjerash u bisedua edhe rreth artit dhe arkitekturës së vendit tonë dhe rreth artistëve të vendit të cilët me punën e tyre kanë arritur suksese edhe jashtë vendit.

Ministri Gashi, në shenjë falënderimi dhe mirënjohjeje për punën dhe aktivitetin e tij, gjatë këtij takimi i dhuroi Sislej Xhafës simbolin e “Hyjneshës në Fron”.

Ndërkaq, artisti Xhafa tha se ndihet i lumtur që ndodhet këtu. Ai falënderoi ministrin Gashi për pritjen e tij dhe theksoi se është i gatshëm që të bashkëpunojë edhe në të ardhmen, transmeton Klan Kosova.