12:46, 12 Janar 2019

Një sezon si protagonist në Brazil, ku u shpall edhe golshënues me Santosin, nuk i mjaftoi sulmuesit Gabriel Barbosa që të fitojë një tjetër mundësi për të treguar veten te Interi.

Të paktën jo deri në Dhjetor të vitit 2019, periudhë në të cilën do të mund të aktivizohet me skuadrën e Flamengos, pasi zikaltrit dhe brazilianët arritën një marrëveshje huazimi.

Njoftimi erdhi fillimisht nga klubi brazilian dhe më pas nga vetë Interi në rrjetet sociale, ku theksoi se Gabigol do të qëndrojë edhe për një tjetër sezon në Brazil.

Sulmuesi iu bashkua Interit si një premtim në verën e 2016-ës, pasi klubi zikaltër pagoi më tepër se 30 milionë euro për kartonin e tij te Santosi, por pas vetëm një sezoni, Gabigol nuk bindi me paraqitjet e tij.

Tashmë nëpërmjet huazimeve të vazhdueshme, Interi kërkon të rikuperojë plotësisht lojtarin, për të parë më pas nëse mund ta përfshijë në organikën e tij, apo ta shesë për të marrë mbrapsht investimin./supersport.al