22:53, 14 Shkurt 2018

Çdo njeri ka një sërë problemesh që i mban mbi supe : pamundësia për të gjetur një punë, pamundësia për ta nxjerrë familjen në dritë, pamundësia për të fjetur me fëmijën e porsalindur,  pamundësia për të jetuar pasi ajo të tradhtoi, kur ti e doje me gjithë zemrën tënde dhe mbi të gjitha, pamundësia për ta jetuar jetën me gjithë fuqinë që ndodhet brenda teje. Pikërisht në këto momente të duket gjithçka e pamundur. Të duket sikur do të dështosh sërish, sikur nuk do t’ia dalësh, sikur të tjerët do tallen me ty, sepse vetëm ty po të ecin gjërat kaq keq. Por çfarë duhet të bëjmë, kur nuk shohim dritë në fund të rrugës që kemi nisur? Çfarë duhet të bëjmë që të ecim përpara sërish me optimizëm?

Ne duhet të jetojmë me çdo problem mbi supe dhe me shpresën se do t’i kalojmë ato, jo duke menduar se kush jemi tani, por duke menduar se kush do të jemi në të ardhmen. Mos lejo askënd të të thotë se nuk mund ta bësh diçka. Ke një ëndërr? Një synim? Duhet ta mbrosh atë. Janë ata që nuk mund ta arrijnë dot vetë diçka, që të thonë ty se ti nuk mund t’ia dalësh.

Është e pamundur të jetosh pa dhimbje. Ti mund të mos e fitosh me herën e parë punën që do. As me herën e dytë. As me të tretën. Por duhet ta ngulisësh mirë në mendje diçka. Nuk ke pse heq dorë. Nuk duhet të heqësh dorë. Duhet të çohesh dhe të përgatitesh për përpjekjen e radhës.

Armiku më i madh, me të cilin duhet të përballesh, është vetja jote. Nuk ke pse të jesh perfekt për të bërë gjëra të mëdha. Të duhet thjesht vullnet per t’u çuar dhe të bësh diçka të duhur për veten çdo ditë. Mendo dhe pyete veten “Kush dua unë të jem?”. Jo “Çfarë dua unë të jem?”, por “Kush dua unë të jem?”. Tani mendo për gjithë vështirësitë që të pengojnë të bëhesh ai që dëshiron të bëhesh. Njerëzit që s’të duan të mirën, marrëdhëniet e dështuara, zemra e thyer, puna e humbur etj. Kur i mendon në këtë mënyrë, të duken të lehta për t’u kaluar. Zoti nuk të dërgon telashe, por gjithmonë kujto se secila nga këto vështirësi, mund të kalohen me fuqinë që ti ke në karakterin tënd.

Mjaft u largove sfidave të tua. Është e lehtë të jesh i fundit. Nuk të duhet asgjë për të qenë një dështak. Por, nuk mund të jetohet ashtu. Duhet shfrytëzuar çdo mundësi dhe duhet kaluar çdo vështirësi, në mënyrë që të bëhesh më i fortë. Mos i shmang sfidave, kërkoji ato që të bëhesh më i fortë. Zoti të ka dhënë gjithë fuqinë për t’ia dalë mbanë çdo sfide dhe vetëm duke e kuptuar këtë gjë, ke për t’ia dalë mbanë në jetë. / f.xh. / Bota.al

Interesante