Formula 1: Rosberg niset i pari në Çmimin e Hungarisë NULL NULL 23.07.2016 16:43 23.07.2016 16:43 Nico Rosberg do të niset i pari të dielën në garën për Çmimin e Madh të Hungarisë. Në provat zyrtare të ditës së sotme, gjermani ka dalë i pari me kohën më të mirë 1 minutë, 19 sekonda dhe 965 të qindat, duke lënë pas shokun e skuadrës Lewis Hamilton. “Ishte një sesion mjaft sfidues. Në fund ishte fantastike që dola i pari. Mendoj se bëra një xhiro të mirë. Jam shumë i gëzuar”, tha Rosberg në përfundim të sesionit. Piloti tjetër i “Mercedes”, Hamilton arriti kohën 1 minutë, 20 sekonda dhe 108 të qindat, duke zënë vendin e dytë, i ndjekur nga Ricciardo me “Red Bull”, që u vonua 172 të qindat më shumë, shkruan Top Channel. Kampioni në fuqi u tregua gjysmë sekondë më i shpejtë se të gjithë në sektorin e parë, por rinisja e Fernando Alonso e kapi në befasi dhe e detyroi të ngadalësonte. Megjithatë, britaniku u shfaq i qeshur në foton e përbashkët me Rosberg dhe Ricciardo për gazetarët. “U ndjeva mirë në xhiron e fundit dhe isha katër të dhjetat më sipër. Nuk pata fat me Fernandon, por janë gjëra që ndodhin. Megjithatë, kemi ende një garë të gjatë përpara dhe në të do të jap maksimumin”, tha Hamilton. I katërti do të niset piloti tjetër i “Red Bull”, holandezi Verstappen, i cili kapi kohën 1:20.557. “Ferrari” vazhdon të mos jetë në formën më të mirë, me Vettel që do të kënaqet vetëm me vendin e pestë, me kohën 1:20.874. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.