19:06, 8 Nëntor 2018

Drejtoresha e departamentit për reformën  e administratës  publike, Erna Hasangjekaj, në emisionin Info Magazine në Klan Kosova ka prezantuar portalin për të dhënat e hapura, për të cilin është mandatuar ministria ku ajo vepron.

“Më 13maj të viti 2016 është aprovuar karta e hapjes së të dhënave dhe të njëjtën ditë është mandatuar Ministria e Administratës Publike që ta udhëheqë këtë proces dhe që nga atëherë kemi filluar të ndërmarrim hapa konkretë për të dhënat e hapura. Është zhvilluar portali kombëtar që është opendata.rks-gov.net, kemi filluar koordinimin e procesit për publikimin e dataseteve, ku janë publikuar më shumë se 100 datasete në këtë portal. Gjithashtu kemi filluar procesin e inventarizimit të të dhënave të hapura në të gjitha ministritë dhe rregullimi i të dhënave të hapura përmes ligjit të ri për qasjen në dokumente publike, ligj i cili shpresojmë se do të aprovohet deri në fund të vitit”.

“Krahas këtyre veprimeve, me vetiniciativë kemi filluar edhe vlerësimin e gatishmërisë së të dhënave të hapura, pra kemi dashur të marrim një pasqyrë gjithëpërfshirëse, të shohim se ku qëndrojmë për sfidat që na presin dhe të kemi një plan se si t’i qasemi kësaj”.

“Synimi i qeverisë me këtë projekt është që qytetarët e Kosovës të kenë një qasje transparente në punën që ne e bëjmë. Hapja e të dhënave nxit zhvillim, inovacion, i jep mundësi qytetarit të besojë më shumë në shtet. Mundëson hulumtime të ndryshme, ka benefite të shumta, pra transparenca është e rëndësishme”.

Hasangjekaj ka folur edhe rreth asaj se cilat do tw ishin hapat e duhur tani qw ka nisur punwn ky portal dhe me cilat sfida janw pwrballur:

“Çka unë kisha dashur t’i cek është zhvillimi i kapaciteteve, trajnime të shumta për shërbyesit civilë, të trajnohen se çka janë të dhënat e hapura, cilat nuk bën të hapen, ato që e prekin sigurimin kombëtar ose privatësinë, kështu që duhet të trajnohen dhe të njëjtën kohë të krijohet edhe opinioni, të informohen qytetarët se çka mund të bëjnë me këto të dhëna”.

“Sfida kemi të shumta, por ne kemi qenë shumë proaktivë. Me vetiniciativë e kemi bë këtë vlerësim për të parë se ku qëndrojmë. E kemi një plan të veprimit që është propozuar nga ekspertët vendorë dhe ndërkombëtarë në bashkëpunim me shoqërinë civile, pra e kemi një pikënisje”.

“Duhet të fillojmë me një fushatë vetëdijesimi, të përqendrohemi në atë, të bëjmë edhe gara me ata të cilët mund të krijojnë aplikacione të ndryshme që mund të përdoren për nevoja të ndryshme. Kjo është një nga format, pra do të kemi forma të ndryshme, plani është koordinimi institucional”.

“Ekziston një vullnet politik për të dhënat. Ministri Yagcilar prej që jemi mandatuar si Ministria e Administratës publike, ka qenë shumë i angazhuar. Në nivelin teknik kemi pasur një përkrahje të vazhdueshme. Një prej sfidave është që të kemi këtë vullnet politik dhe për fat të mirë ne e kemi”.

“Do të ketë të dhëna të shumta. Ka nisur importimi i të dhënave, p.sh. gjendja e shërbimit civil. Janë mbi 106 datasete që janë të hapura që mund të përdoren nga të gjithë dhe shpresoj që në të ardhmen të kemi më shumë datasete”.

“Të gjithë janë të mirëseardhur të publikojnë të dhëna dhe në fund të ditës t’i ndihmojmë qytetaret e Kosovës për një jetë më të mirë, për të pasur informacione më shumë”.

“Të dhënat e hapura nuk do të thonë të jenë vetëm transparente, mirëpo janë të dhëna që mund të rishfrytëzohen, deklaroi ajo.