
Në qytetin e Vushtrrisë ka nisur ndarja e mbeturinave në burim, projekt ky që po financohet nga GIZ dhe Komuna e Vushtrrisë, ndërsa po zbatohet nga Green Art Center.
Me rastin e fillimit të këtij projekti, kryetari i kësaj komune, Xhafer Tahiri, ka ftuar që pjesë e procesit për një Vushtrri më të pastër të bëhen edhe qytetarët, aktivizimi i të cilëve tha se është shumë i rëndësishëm që kjo nismë e mbarë të gjejë zbatim të plotë.
Ai bëri të ditur se nga e hëna do të fillojë menaxhimi dhe ndarja në burim e mbeturinave po ashtu në të gjitha fshatrat e Vushtrrisë.
Në këtë ceremoni sot është bërë përurimi i platosë së re për ndarje të mbeturinave në burim, te hyrja e ish Shkollës së policisë në qytet, ku edhe praktikisht është demonstruar ndarja e mbeturinave.
Gjithashtu ka nisur shpërndarja dhe vendosja e 260 kontejnerëve të ri të plastikës, për ndarjen e mbeturinave, transmeton Klan Kosova.