17:17, 12 Tetor 2018

Komuna e Ferizajt ka njoftuar se është vënë gurthemeli i shkollës së re të mesme në këtë komunë.

Në këtë ceremoni, kryetari i Ferizajt, Agim Aliu bashkë me drejtorin e Arsimit Afrim Llabjani, drejtorët, Kryesuesen e Kuvendit, Kristina Gashi Bytyçi dhe me profesorë të shumtë, vunë gurthemelin e kësaj shkolle.

Kryetari Aliu, theksoi se kjo shkollë do t’i mundësoj qeverisjes lokale të zbatojë me efikasitet më të lartë reformën e ndërmarr në arsim, si dhe të mundësoj ri-planifikimin e shfrytëzimit të hapësirave shkollore.

“Kjo shkollë e mesme do të thotë që do të krijohen dhe do të mundësohen kushte edhe më të mira të punës në mënyrë që të avancohet puna profesionale e profesorëve, mësimdhënësve, por në të njëjtën kohë edhe që nxënësit të kenë kushtet më të mira që të marrin atë që japin mësimdhënësit tanë, profesorët tanë” ka thënë Aliu.

Sipas Aliut mbështetja e Komunës nuk do të mungojë edhe për vendet dhe shkollat e tjera të Ferizajt.

Ndërkaq ky projekt ka një kosto prej 1 e 800 mijë euro dhe përbëhet nga 29 dhoma mësimi dhe është projekt 3 vjeçar.

klankosova.tv