Fëmijëria mbi karrocë pazari NULL NULL 19.04.2016 11:00 19.04.2016 11:00 “Sa t’dush mi jep, po gjith i çoj për 1 ose 1.50 euro”, thotë L.K, sa herë që dikush i afrohet të negociojë për çmimin e transportit. I veshur me një palë tuta sportive të kaltra e me patika gjysmë të shqyera, ai shkon e vjen në pjesët kryesore të tregut, asnjëherë pa e ndalur thirrjen: “A doni kolicë?”. E shtuna do të duhej të ishte për të dita e pushimit nga shkolla. E tillë siç është për fëmijët tjerë. Por, një të shtunë të pushueshme për lojë me miqtë e tij nuk e ka L.K. nga Ferizaj, që në shkurt të këtij viti i mbushi 11 vjet. Ditën e tij e pret tregu i gjelbër i këtij qyteti – me karrocë në dorë. Mund të blesh ç’të duash, e ai i bart kudo që i thua, për shumë pak para. “Sa t’dush mi jep, po gjith i çoj për 1 ose 1.50 euro”, thotë sa herë që dikush i afrohet të negociojë për çmimin e transportit. I veshur me një palë tuta sportive të kaltra e me patika gjysmë të shqyera, ai shkon e vjen në pjesët kryesore të tregut, asnjëherë pa e ndalur thirrjen: “A doni kolicë?”. Rrugës i takon miqtë e tij. Kur ndonjëri prej tyre është i moshës së tij, e zakonshme është pyesin njëri tjetrin: “Sa i bone sot?”. Vazhdojnë të ecin me karrocat e zbrazëta, duke kërkuar njerëz që duan t’i bartin gjërat e blera. “I fitoj deri në 5 euro në ditë. Krejt varet ku kam m’i çu senet, sa larg. Kaniher s’ka punë hiç i boj nashta 3 euro, tani i harxhoj ton javën deri t’shtunën tjetër, kur t’bohet me dal prapë”, thotë djaloshi 11 vjeçar, që në shtëpi ka edhe dy motra e një vëlla. “Babi kur munet punon, del shet dru edhe i pren, po edhe unë dal qeshtu nëpër pazar”. Trupimët e shumë i qetë, djaloshi ferizajas thotë nuk e ka problem të çojë pesha të rënda. Është mësuar tashmë. Shkolla i shkon “mirë boll”. Matematikën e ka të preferuarën, por ende nuk e di çfarë do të studiojë kur të vijë koha. “Nuk kom menu kurrë. Nuk e di çka kom qef m’u bo, valla”, thotë teksa e ndihmon një grua t’i ngarkojë në karrocë gjësendet. Do t’i fitojë 2 euro për t’ia dërguar deri në shtëpi. Pasi e ngarkoi, karrocën e drejton kah i kërkon zonja. Prapë i rastis ta shohë njërin nga shokët që e pa më parë, që ende s’kishte marrë punë. Me një shprehje gëzimi në fytyrë e me zë të ulët, i thotë se për 2 euro po i dërgonte deri në një vend që s’ju duk fort larg. “Për 2 euro deri te posta, aty kah sheshi”. Karroca të tilla dhe fëmijë që i vozisin ato për bukën e gojës nuk ka vetëm në këtë treg në Ferizaj. Fëmijë që punojnë ka në çdo qytet të Kosovës. Të miturit “thyejnë ligjin” për ta thyer urinë e cila u vjen çdo ditë si ligj. Nuk dihet saktë numri i fëmijëve që punojnë punë të rënda në Kosovë. Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale nuk ka dhënë përgjigje se sa fëmijë janë të angazhuar, mirëpo thotë t’i ketë larguar nga puna disa të mitur. Bazuar në raportet e qendrave për punë sociale rezulton se gjatë vitit 2015 nga punët e rënda dhe të rrezikshme që kryejnë të miturit janë tërhequr 93 fëmijë dhe atë 12 fëmijë nga punët në bujqësi-pylltari; nga punët në rrugë 22; nga punët në gërmimin dhe grumbullimin e mbeturinave 14; nga punët në eksploatimin e pasurive natyrore 1 fëmijë; nga shfrytëzimi për aktivitete në konflikt me legjislacionin 33 fëmijë; nga hotelieria 9 dhe zejtaria 2 fëmijë”, thuhet në përgjigjen zyrtare të Ministrisë dhënë për klankosova.tv. Kjo Ministri në dikasterin e vet ka edhe një Komitet për Parandalimin dhe Eliminimin e Punëve të Rënda e të Rrezikshme për Fëmijët, i cili është themeluar në vitin 2005. Ky komitet, sipas Objektivit Strategjik dhe Planit të Veprimit për vitin 2011-2016, parasheh eliminimin e të gjitha formave të këqija të punës së fëmijëve në Kosovë. Sipas skemës për asistenca sociale të vitit 2015, 16 fëmijë të cilët janë larguar nga puna e rëndë gjithashtu janë bërë përfitues të ndihmës sociale. “MPMS-ja implementon Ligjin për asistencën sociale, ku çdo familje që i plotëson kriteret e parapara me këtë ligj gëzon të drejtën e shfrytëzimit të kësaj ndihme. Gjatë vitit 2015, pas evidentimit të rasteve të punëve të fëmijëve dhe pas konstatimve të punëtorëve socialë, 16 raste kanë përfituar ndihmë sociale”. Përderisa në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale nuk kanë dhënë shifra të sakta se sa është numri i fëmijëve të përfshirë në punë, Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, bazuar në të dhëna të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, thotë se 10.7% e fëmijëve në Kosovë janë të përfshirë në punë përderisa 6.8 % e fëmijëve punojnë në kushte të rrezikshme. Fëmijët që punojnë në Kosovë, privohen nga të drejtat e tyre si fëmijë që janë e shpesh janë të ekspozuar para një ambienti të rrezikshëm për ta në të gjitha format. “Përfshirja e fëmijëve në punë të rënda është një problematikë në Republikën e Kosovës. Marrë parasysh këtë, shumica e fëmijëve që janë të përfshirë në punë të rënda, në një mënyrë, detyrohen të sillen si të rritur, duke humbur fëmijërinë dhe duke mos pasur mundësi ti gëzojnë të drejtat e tyre si fëmijë. Fëmijët u ekspozohen një sërë rreziqesh për shëndetin dhe jetën dhe formave të ndryshme të shkeljes së të drejtave të fëmijës, përfshirë neglizhimin, keqtrajtimin, abuzimin fizik dhe psikologjik, mungesën e qasjes në arsim dhe mungesën e strehimit, duke e vënë veten përballë edhe rrezikut të shfrytëzimit seksual ose trafikimit”, thuhet në përgjigjen e KOMF-it dhënë për klankosova.tv. Sipas KOMF-it që merret me mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, Ministria përkatëse ka krijuar mekanizma ligjorë për mbrojtjen e fëmijëve nga punët e rënda, por se ka pak vullnet institucional për zbatim të ligjit. Sipas kësaj organizate jo-qeveritare, mungon planifikimi buxhetor për zbatimin e legjislacionit të aprovuar dhe se nuk ka shërbime alternative për fëmijët në mënyrë që të parandalohen nga punët e rënda. Në tregun e gjelbër të Ferizajt, në masën e madhe të njerëzve mund të takosh fëmijë të moshave të ndryshme që me karroca në duar bartin pesha të rënda për 1 dhe 2 euro. Ata shpesh edhe qeshin, ndonëse fati nuk iu ka buzëqeshur. klankosova.tv *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
Lajme Ushtria izraelite pretendon se ka vrarë komandantin e lartë të Hamasit në Al-Shifa 2 minuta më parë
Lajme Franca mbyll faqen e interneti që pretendonte se po rekrutonte vullnetarë për të luftuar në Ukrainë 9 minuta më parë