11:12, 14 Qershor 2018

Misioni Evropian i Sundimit të Ligjit (EULEX) sot zyrtarisht e përfundon mandatin e deritashëm dhe nuk ka më kompetenca dhe pushtet ekzekutiv në sistemin e gjyqësorit në Kosovë, të cilin e ka pasur pothuajse dhjetë vjet.

Fondi Humanitar për të drejtën në Kosovë (FDH) përmes një kumtese për media ka dhënë vlerësim për punën e këtij misioni.

FDH Kosovë konsideron se, krahas ndikimit pozitiv në gjyqësorin kosovar dhe në sistemin e sundimit të ligjit në tërësi, EULEX-i nuk i ka përmbushur të pritmet e fillimit të mandatit të tij as në pikëpamje të numrit të rasteve të procesuara e as në pikëpamje të mbrojtjes së dëshmitarëve, gjë që ka çuar deri te formimi i Dhomave të Specializuara dhe i Prokurorisë Speciale me seli në Hagë, që do të jenë kompetent për hetimin e krimeve në periudhën prej datës 1 janar i vitit 1998 deri në fund të muajit dhjetor të vitit 2000.

“FDH Kosovë në mënyrë sistematike dhe kontinuitive i ka përcjellë të gjitha gjykimet për veprat më të rënda penale, të cilat kanë qenë në mandatin e EULEX-it, duke publikuar rregullisht raporte vjetore me analizat mbi atë se si para gjykatës janë zhvilluar procedurat në këto lëndë dhe sa janë respektuar standardet ndërkombëtare gjatë tyre. Impakti i EULEX-it në gjyqësorin kosovar do të jetë edhe një nga temat kryesore në fokusin e raportit të ardhshëm vjetor (2018) të FDH Kosovë. Megjithëkëtë, qysh tash, si një vlerësim i përgjithshëm, mund të veçohet se ky mision ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në përforcimin e efikasitetit të sistemit të gjyqësorit në Kosovë, si në pikëpamje të hetimit të krimeve më të rënda, ashtu edhe në pikëpamje të procesuimit të të njëjtave”

” Ky vlerësim posaçërisht vlen për vitet e para të mandatit të EULEX-it në Kosovë, kur këtë mision e ka stolisur transparenca dhe gatishmëria për bashkëpunim me të gjitha segmentet e shoqërisë, posaçërisht me sektorin joqeveritar, si dhe zbatimi i standardeve të caktuara të pranuara ndërkombëtare, të cilët nuk kanë qenë të paraparë me ligjet penale që janë në fuqi në Kosovë”, thuhet në komunikatë.