Është momenti për marrëveshje me Kosovën, thotë Vuçiq – por me çfarë çmimi? NULL NULL 26.04.2018 16:27 26.04.2018 16:27 Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, do ta pranonte pavarësinë e Kosovës, nëse Serbisë në këmbim i jepet diçka konkrete. Kur NATO bombardoi Serbinë në vitin 1999, Aleksandër Vuçiq, ka qenë ministër i Informacionit, ku zbatonte rregullat e censurës së presidentit të vendit, Sllobodan Millosheviq, i cili më vonë do të akuzohej për krime lufte. Dy dekada më vonë, Vuçiq është president i Serbisë. Me pretendimin se ai është zhveshur nga pikëpamjet e dikurshme nacionaliste dhe i fshirë nga akuzat për autoritarizëm, ai tash shihet nga Bashkësia Ndërkombëtare si njeriu që mund të arrijë marrëveshjen e cila do të mund ta sillte pajtimin me Kosovën, shkruan The Guardian, përcjell Klan Kosova. Ish krahina e Serbisë u shkëput nga Beogradi me mbikëqyrje ndërkombëtare pas fushatës bombarduese të NATO-s, ku më pas më 2008 shpalli pavarësinë. Por që Serbia ende e llogaritë atë pjesë si territor të saj. Në një intervistë për Guardian në Beograd këtë javë, Vuçiq ka thënë se beson që tash është një dritare e vogël ku “brenda gjashtë muajve apo një viti”, mund të nënshkruhet një marrëveshje e mundshme. “Ne jemi të gatshëm që të diskutojmë për secilën çështje, jemi të gatshëm që të shqyrtojmë secilin propozim që do të nënkuptonte një zgjidhje me kompromis”, ka thënë ai, duke shtuar se edhe Serbisë duhet ofruar diçka në këmbim. Kosova është e njohur nga mbi 100 shtete, por që ende janë pesë vende të Bashkimit Evropian që nuk e kanë bërë këtë, kryesisht për shkak të frikës se do të vinin një precedent që mund të kishte pasoja për territorin e tyre. Kosovën s’e njohin as Kina, India dhe Rusia. Shpresa në Bruksel është që një marrëveshje mund arrihej, çka do të bënte që Beogradi ta pranonte atë, nëse jo njohjen formale të pavarësisë së Kosovës, por që do të hapte rrugën që Kosova ta zinte një ulëse në OKB dhe që të dy vendet të merrnin rrugën drejt anëtarësimit në BE, përcjell Klan Kosova. Vuçiq, ka luajtur me këto shpresa, por që në kthim ai dëshiron një pako të benefiteve për Serbinë. Ai poashtu është i përfshirë në dialogun e rregullt të mbikëqyrur në Bruksel me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po provon që të implementojë marrëveshjet e brendshme të nënshkruara pesë vjet më parë. Thaçi, poashtu i ka thënë Guardian javën e kaluar se pret që këtë vit të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Vuçiq gjithashtu ka kaluar shumë kohë muajt e fundit në shumë takime me liderë perëndimorë, duke provuar që t’i bindë ata që të ofrohet një zgjidhje e cila do t’i sillte Serbisë përfitime sesa thjeshtë të pranoheshin faktet në terren. Ky Vuçiq mund të jetë ai që do ta nënshkruante marrëveshjen e madhe, duke ditë se ai ishte pjesë e partisë radikale, që ishte për Serbinë e Madhe dhe përkrahte formacionet politike dhe ushtarake që luftonin në Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë. Vuçiq, sido që të jetë, është kontradiktor. Ai dominon në skenën politike në vendin e tij, duke e transformuar rolin e presidencës nga roli i madh ceremonial në qendër të fuqisë, pas lëvizjes së tij nga kryeministri në president, vitin e kaluar. Ndryshe nga liderët tjerë dominues, ai nuk ka gjestikulacion dhe oratori të ashpër. Zëri i tij ngritet rrallë, ai më shumë përdorë pëshpërimat emocionale, duke e portretizuar veten si një martir të palodhur të kauzës serbe. “Jam i shtrydhur në baza ditore”, ka thënë ai. “Është kryesisht Kosova, t’ua them të drejtën. Gjithçka tjetër është e kotë. Kam investuar së paku 400 ditë në katër vitet e kaluara prej kur u bëra kryeministër, vetëm në Kosovë. Energjia jonë nxirret jashtë dhe njerëzit tanë nuk e shohin atë, ata nuk e kuptojnë këtë”. Pas takimit me Anglea Merkel në Berlin këtë muaj, ai ka thënë se nuk ka mundur të flinte një natë përpara dhe se s’ishte në gjendje të hante gjatë atij takimi, sepse, siç ka thënë e ka nervozuar shumë fati i Serbisë. Kritikët e Vuçiq thonë se kjo është vetëm një pjesë e një imazhi të ndërtuar me kujdes i një luftëtari vetëmohues për Serbinë dhe që maskon rrugëtimin drejt konsolidimit të pushtetit të tij. “Kjo është në mënyrë e re në botën e politikës, e krijimit të imazhit publik si personi “më i mirë” në Serbi”, ka thënë Boban Stojanoviq nga Fakulteti i Shkencave Politike në Universitetin e Beogradit. “Por në të njëjtën kohë në kemi korrupsion, liri të vogël të mediave dhe që jemi në rrugë të një sistemi njëpartiak”. BE dhe institucionet tjera kanë kritikuar Vuçiqin për shtypje ndaj mediave, për çka ai e ka pastruar veten, duke thënë se atmosfera në media është partizane në të dy anët, duke thënë se ndaj tij zhvillohet një “fushatë 24/7” nga media e pavarura. Liderët evropianë mund të kenë vullnetin që t’i japin merita Vuçiqit, sepse ai shihet si njeriu që mund të shkonte drejt kompromisit me Kosovën çfarë një lider më i dobët nuk do të mund “ta shiste” në opinionin publik serb dhe për shkak të dëshirës së tyre për të kundërshtuar ndikimin e Rusisë në rajon. Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, i cili qëndroi në Beograd këtë javë për ta takuar Vuçiqin, ka thënë se pas bisedave mes tyre, ka parë tek presidenti serb shpirtin binjak dhe se ai ishte “duke dëshmuar se mund të jetë në të njëjtën kohë patriot i madh dhe pragmatist i arsyeshëm”. Në një kohë kur marrëdhëniet mes Rusisë dhe Perëndimit janë në një pikë të ulët, Vuçiq, ndoshta, më shumë se asnjë lider botërore është duke ecur për litarin e tendosur mes tyre, me këmbëngulje drejt integrimit evropian si prioritet kryesor për Serbinë, derisa vazhdojnë të kenë lidhje edhe me aleatin tradicional, Moskën. Në shenjë të asaj, ai paraqet ende një balancë të kujdesshme në mes të së kaluarës dhe së tashmes, duke mohuar që t’i referohet nacionalistit Vojsllav Sheshel – ish mentorit të tij politik, si një kriminel lufte, pasi që gjykata e OKB-së në Hagë muajin e kaluar shfuqizoi shfajësimin për kryerje të krimeve të luftës gjatë viteve të 90-ta. Por ai ka thënë se i vjen keq për shumë prej shpërthimeve të tij nacionaliste në të kaluarën. “E njihni dikë në gjithë botën që nuk është mëkatar? Ende unë s’e kam takuar dikë. Dallimi është se unë e pranojë që kam qenë shumë i sinqertë me qytetarët tanë”. Vuçiq ka vetëm 48 vjet dhe ka shumë që thonë se me apetitet e tij për pushtet dhe sens për mision historik, ai mund të jetë duke planifikuar që të qëndrojë më gjatë si bartës, ndoshta i ka vënë syrin një sundimi prej dekadave, sikur Millo Gjukanoviq në shtetin fqinj të Malit të Zi. “Mund të garantoj se kjo nuk do të ndodhë”, ka thënë Vuçiq duke qeshur, para se të kthehej të flasë me formën e tij pëshpëritëse. Ai ka thënë se “ me siguri jo” nuk do të vazhdonte në presidencë pas vitit 2022. “Nuk e kam atë energji”. Tekst origjinal i The Guardian, i përkthyer nga Klan Kosova. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
Kosova Dy të vrarë e 6 të plagosur në kryeqytet më 2024 - kritikë për masat ndëshkuese (VIDEO) 13 orë më parë