15:00, 7 Maj 2018

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka vendosur të mos flasë ndërkombëtarisht për opozitën dhe në një intervistë për “The Parliament Magazine”, kreu i qeverisë dëshiron të fokusohet në rrugën e Shqipërisë drejt integrimit në BE.

“Së fundmi ka pasur lajme për ndërhyrje ruse në zgjedhjet e kaluara parlamentare në Shqipëri. Cilat janë pikëpamjet tuaja dhe a jeni të shqetësuar nga kjo?”, pyet “The Parliament Magazine”.

“Kam dëgjuar dhe lexuar lajmet. Ka disa dëshmi se kundërshtarët tanë politikë kanë marrë mbështetje financiare në kundërshtim me legjislacionin tonë. Ka një hetim për këtë, por si rregull, vendosa shumë kohë më parë të mos komentojë ndërkombëtarisht për opozitën. Ne në Shqipëri përpiqemi të mbajmë marrëdhënie miqësore me të gjitha kombet.

Ka diçka unike për Shqipërinë, jemi vendi më pro-europian dhe pro-amerikan në Europë. Por si anëtar të NATO dhe një kombi evropian, ka fuqi që duan të dobësojnë angazhimin tonë në Aleancën Perëndimore. Përçarja politike,përfshi nxitja e populizmit dhe nacionalizmit, mund të jetë një nga taktikat. A jam i shqetësuar? Jo për momentin. Partia ime u rikthye në zyrë me një maxhorancë të fortë. Për mua ka vetëm një gjë ku duhet të fokusohem: Modernizimi i vendit tim përmes reformave të thella që të tjerët më parë nuk guxonin ti imagjinonin, e jo më të luftonin për to.

Ne BE ka dy pikëpamje, një e ashtuquajtura “Regatta principle” me Serbinë e Malin e Zi si kryesues, dhe ajo e pranimit të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor. Por cilën pëlqen kryeministri shqiptar?

“Brukseli ishte pragmatik. Pas konflikteve të tmerrshme në ish-Jugosllavi është e natyrshme që vëmendja të fokusohej në atë pjesë të Gadishullit të Ballkanit. Ishte zhgënjyes për ne, por e kuptueshme në kontekst. Megjithatë, ta shohësh procesin si një garë varkash është gabim. Është një metaforë e gabuar. Shqipëria nuk konkurron me asnjë prej miqve tanë, Serbi, Mali i Zi apo kudo tjetër.

Në fakt, ne po punojmë gjithnjë e më shumë në lidhje me tregtinë, digjitalizimin, promovimin turistik, dhe shumë të tjera. Por kjo nuk tërheq tituj. Mediet ndërkombëtare e kanë më të lehtë në konfliktet e vjetra kulturore, kur realiteti, në terren është shumë ndryshe. Pyesni ndonjë 20-vjeçar nga Bratislava, Shkupi apo Tirana për identitetin e tyre kulturor. Shumë prej tyre kanë jetuar jetën si evropianë, me shpresën se një ditë vendi i tyre do të jetë një anëtar i BE”, thotë Rama. /Top Channel