14:01, 7 Dhjetor 2018

Përmes një videoje në rrjetin social Facebook, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama u ka dhënë një përgjigje studentëve që protestojnë ende edhe sot përpara Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.

Rama uroi që studentët të kenë jo vetëm dëshirën për të protestuar, por edhe vullnetin për të dialoguar, sepse, sipas tij,  “në rrugë dilet për të kërkuar vëmendjen e vendimmarrësve ndaj shqetësimit që ke, ndërsa shqetësimi adresohet përmes dialogut me vendimmarrësit”.

“Unë dua që ata ta dinë se kam shumë për t’u thënë, por edhe shumë dëshirë që t’i dëgjoj, ballë për ballë, pa censurë për opinionin publik, pa drejtues, pa administratorë, pa pedagogë, por vetëm studentët e zgjedhur prej vet protestuesve, pa asnjë filtër partiak apo administrativ”, deklaroi ai, shkruan Top Channel.

Rama ka thënë se “Shqipëria e ka fituar prej pesë vitesh lirinë e plotë të protestës, pa rrezik prej plumbave apo hakmarrjes politike, pavarësisht nëse kemi qenë apo jo dakord për ndonjë protestë”.

“Po të mund të zgjidhja, sot do të doja të isha edhe njëherë student protestues, por si kryeministër dhe si një protestues i dikurshëm kam bindjen se duke dëgjuar njëri-tjetrin me respekt, jemi apo jo dakord, dhe duke u bërë bashkë për modernizimin e arsimit të lartë në çdo aspekt, ne mund ta përshpejtojmë dhe ta bëjmë shumë më mirë punën kolosale që mbetet ende për të bërë në dobi të universitetit”, tha Rama.