E teta finale radhazi për mbretin James (VIDEO) NULL NULL 28.05.2018 05:44 28.05.2018 05:44 Tetë finale me radhë, dhe e nënta në karrierë për një prej basketbollistëve diskutueshëm më të mirë të të gjitha kohërave, LeBron James. Ai udhëhoqi Cleveland Cavaliers në një tjetër betejë epike në këtë playoff, për ta siguruar edhe një lavd individual përgjatë këtij rrugëtimi. Cavs fituan serinë ndaj Bostonit pasi rrëmbyen ndeshjen e shtatë si mysafirë, në një takim që nuk nisi mirë për ta. Vendësit madje në një moment në çerekun e dytë kishin 12 pikë avantazh, gjë që nënkampioni arriti ta shkrijë gradualisht. Në pjesën e dytë, Cavs u treguan më me eksperiencë, dhe treshet e Jeff Green dhe J.R. Smith arritën ta bëjnë dallimin, pavarësisht se në pjesën e parë të dyja ekipet ishin të tmerrshme nga 6.32 metërshi. James ishte afër treshifrorit të dyfishtë, pasi që arriti 35 pikë, nëntë asistime e 15 kërcime, përcjellë nga Jeff Green me 19 pikë e tetë kërcime. Ndërkaq, te Bostoni më së shumti pikë regjistroi Jayson Tatum, 24 sosh. Finalet e NBA-së fillojnë të enjten, dhe James me shokë kanë kohë të pushojnë, pasi qe ai luajti në secilën minutë të ndeshjes së sontme vendimtare në kuadër të finales së Konferencës Lindore në NBA. Aty do të kenë punë me fituesin e nesërm të finales së Konferencës Perëndimore mes Houston Rockets dhe Golden State Warriors, të cilët po ashtu kanë shkuar në shtatë përballje në serinë e tyre. https://www.youtube.com/watch?v=mYMybACKtgw *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.