16:23, 10 Gusht 2018

Komandanti i Forcës së Sigurisë të Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama, mori pjesë në ceremoninë e diplomimit të dy kadetëve të FSK-së, nëntogerëve Kemajl Haliti dhe Çlirim Morina.

Nga FSK kanë bërë të ditur se të dy kadetët e FSK-së, përfunduan me sukses trajnimin 12 mujor, i cili ka qenë i bazuar në një program mjaftë intensiv, më qellim që të përgatisë oficerët e rinj; që të jenë udhëheqës kompetent, të aftë të marrin gjykime të drejta, dhe të kryejnë detyrat në mënyrë profesionale.

Rama përgëzoi nëntogerët Haliti dhe Morina, për suksesin e arritur në Akademinë Ushtarake Mbretërore “Sundhurst” në Mbretërinë e Bashkuar, dhe njëherësh kërkoi nga ta, që njohuritë e fituara t’i zbatojnë me sukses në detyrat e reja në Forcën e Sigurisë të Kosovës.

Pas kthimit nga Mbretëria e Bashkuar, nëntogerët Haliti dhe Morina do të shërbejnë në FSK, me detyrë komandant togu, në Batalionin e Parë të Reagimit të Shpejtë në Gjilan, respektivisht në Batalionin e Dytë të Reagimit të Shpejtë në Istog.