18:07, 6 Dhjetor 2018

Deputetja e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, ka thënë se është e pritshme që Serbia ta dramatizojë çështjen e themelimit të Ushtrisë së Kosovës.

Pavarësisht kësaj ajo ka thënë se Kosova do ta ketë ushtrinë e saj këtë vit, njofton Klan Kosova.

“Po, do ta ketë më 14 dhjetor” është përgjigjur ajo në Info Magazine.

Lidhur me deklaratën e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stolteberg se nuk është koha e duhur që të votohet ushtria, Kadaj-Bujupi është shprehur: “E dimë që brenda NATO-s ekzistojnë një numër i shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën dhe mund të ketë qëndrime të ndryshme. Ajo që është e ditur është se rrugëtimi ynë – i FSK-së është bërë bashkë me aleatët tonë, projekt i të cilave është”.

“Kur e kemi filluar në vitin 2015 vendimi ka qenë të pritet edhe pak për një kohë më të duhur. Tash është momenti që Kosova të konsolidohet përbrenda duke e themeluar ushtrinë e saj. Nuk mjaftohemi të jemi vetëm konsumues të sigurisë por edhe kontribuues. Kjo ushtri nuk është agresor apo kërcënuese por partnere e NATO-s e ndërtuar në bazat e lirisë”.

Deputetja Kadaj-Bujupi ka thënë se Kosova është shtet i pavarur që duhet të vendosë vet për krijmin e ushtrisë.

“Me ndryshime kushtetuese ushtria do të varej nga Serbia dhe nuk do të bëhej asnjëherë. Është në duart e deputetëve të cilët besoj që sikurse herën e parë do ta votojnë edhe më 14 dhjetor”.