12:30, 13 Mars 2018

Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu ka hyrë në selinë e Partisë Demokratike, për të zhvilluar një takim me kryetarin e PD-së, Lulzim Basha.

Burime pranë PD-së bëjnë të ditur se Basha dhe ambasadori Lu shkëmbyen pikëpamje mbi zbatimin e reformës në drejtësi, luftën kundër krimit dhe drogës dhe proceset e ardhshme politike brenda Partisë Demokratike.

Kjo vizitë e ambasadorit amerikan në selinë blu vjen në kohën që partia më e madhe opozitare është në qendër të akuzave në lidhje me burimin e parave për lobim në Washington, shkruan Top Channel.

Mësohet se Donald Lu ka “shmangur” mediat dhe takimi ka nisur që në orën 11:00 të paradites së sotme.

Vizitat e Lu në PD dhe takimet e tij me Bashën kanë qenë të shpeshta gjatë reformës në drejtësi, sidomos kur në Kuvend diskutohej vettingu.