Djokoviç mund Murray, fiton turneun e Parisit NULL NULL 08.11.2015 20:42 08.11.2015 20:42 Novak Djokovic mund në vetëm dy sete numrin 3 të botës Andy Murray, duke siguruar titullin e katërt në karrierë në Mastersin e Parisit. Në turneun përmbyllës të kategorisë Masters 1000 Nole përfitoi nga gabimet e shumta të tenistit britanik për të mbrojtur me sukses trofeun në Paris – Bercy. Në Palais Omnisports, përpara 14.000 spektatorëve tenisti serb u paraqit me 5 fitore në 6 takimet e këtij sezoni, në përballjet ndërmjet tyre dhe në fakt numri 1 i botës e vuri menjëherë në presion tenistin britanik duke e thyer në shërbim që në lojën e tretë të setit hapës. Në vazhdim Djokovic i rrëmbeu shërbimet tenistit skocez edhe në game-n e shtatë duke fituar bindshëm setin e parë. Murray këtë vit ka fituar dy trofe Masters, në Madrid dhe Montreal, madje në Rogers Cup tenisti britanik mundi në finale pikërisht numrin 1 të botës. Për Murray-n kjo ishte finalja e parë në Paris – Bercy dhe me një fitore 28-vjecari do të garantonte vendin e dytë në klasifikimin e përgjithshëm botëror sidoqoftë Andy u paraqit nervoz dhe vuajti si zakonisht forcën e Noles në aspektin psikologjik. Nga disavantazhi i një game me break në fillimin e setit të dytë Murray u shfaq agresiv duke rikuperuar në rezultat, madje numri 3 i botës shpërdoroi shumë edhe në lojën e gjashtë të setit të dytë. Taktikisht perfekt Nole ruajti qetësinë dhe thjesht priti rastin e tij për të mbyllur më pas gjithë takimin me shifrat 6-4, 6-2, në dicka më tepër se një orë e gjysmë lojë. Djokovic regjistroi vetëm 4 goditje fituese në setin e parë dhe 6 në të dytin, megjithatë në krahun tjetër Andy Murray e përfundoi ndeshjen me plot 34 gabime. Murray është thjesht një javë më i madh në moshë sesa miku i tij Djokovic, gjithsesi historia e përballjeve ndërmjet tyre ka ndryshuar ndjeshëm në këto vitet e fundit, madje edhe karriera e tyre ka marrë drejtime të ndryshme, shkruan TopChannel. Kështu Nole ka fituar plot 10 nga 11 duelet e fundit mes tyre duke kryesuar tashmë 21-9 bilancin e përgjithshëm. Murray e mbyll sezonin me katër tituj, ndërsa për Djokovic ky është trofeu i dhjetë sezonal, në 14 finale të luajtura e njëkohësisht edhe titulli i 58 ATP. 28-vjecari serb regjistroi fitoren e 22 radhazi dhe vlen të theksohet fakti që humbjen e fundit e ka pësuar dy muaj e gjysmë më parë në Cincinnati me Roger Federer, tenist që i ka shkaktuar 2 nga 5 humbjet që Nole numëron gjithsej gjatë vitit 2015. Në vitin 2011 Djokovic e mbylli sezonin me 5 trofe Masters, ndërsa këtë radhë tenisti serb bëhet i pari tenist që koleksionon 6 tituj Masters brenda një sezoni. Nole do ta mbyllë sezonin për herë të katërt në pesë vitet e fundit në pozicionin e parë të renditjes ATP, ndërsa Murray në krahun tjetër pavarësisht disfatës u shfaq i kënaqur sepse sic dihet prioritet për tenistin skocez përbën fitimi i Kupës Davis në fund të këtij muaji, në Gent, në fushë dheu ndaj Belgjikës, trofe që Britanisë së Madhe i mungon prej plot 79 vjetësh. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.